Nga Edmond Tupja
Sipas disa miqve të mi socialistë, ndër të cilët Françesk Armadhi e Namik Arvogli, vertikalisht e horizontalisht adhurues me disa kushte të Edi Ramës ende kryeministër, dy shoqata ndërkombëtare lypësish i paskan sugjeruar lypësve të vendit tonë që të themelojnë një shoqatë simotër për të mbrojur të drejtat e liritë e lypësve të mbarë kombit shqiptar brenda Ballkanit dhe më gjerë, më gjatë, më lart e më thellë në tërë botën dhe ndoshta më tej, madje përtej planeteve të sistemit tonë diellor. Mirëpo, të paktën sipas dy miqve të mi të lartpërmendur, sapo ka plasur sherri midis dy grupime lypësish në Republikën Lypacake të Shqipërisë, atyre që kanë qenë dikur lypës, por që tani jetojnë jo keq, dhe atyre që akoma janë të tillë.
Grupimi i parë kërkon medoemos të fitojë simpatinë dhe mbështetjen e Edi Ramës ende kryeministër dhe, për këtë qëlllim, premton ta ndihmojë këtë të fundit – që jeton në një mjerim dëshpërues pasi e ka shpenzuar tërë pasurinë e vet për të mirën e popullit të vet lyparak – për të shlyer një pjesë të 110 milionë eurove që shteti shterpë shqiptar duhet t’i paguajë zotit Becchetti fitues të gjyqit para një arbitrazhi ndërkombëtar.
Ky grupim, pra i pari, edhe në aleancë me prostitutat që frekuentohen rregullisht nga vipat, ka shfaqur haptas dëshirën për t’u kthyer në parti politike, e cila, po t’i besojmë zëdhënësit të tij, zotit Rakip Ordha, do të renditet përkrah Partisë Socialiste qysh tani, madje edhe gjatë mandatit të tretë, të katërt e të pestë të synuar nga kjo parti.
Në këtë pikë, grupimi i dytë ngurron të ndjekë angazhimin e ish-lypësve, të cilët nuk gëlojnë më në qytetet e vendit, dhe zëdhënësi i lypësve aktualë të vetëpunësuar, zoti Aqif Enda, ka deklaruar se këta kanë vendosur të bëjnë një punë bindëse të pandërprerë me prostitutat e varfra, edhe këto të vetëpunësuara, në mënyrë që, së bashku, të mbledhin para për ta ndihmuar sadopak Erion Veliajn ende kryebashkiak, që të shlyejë pjesën tjetër të 110 milionë eurove në fjalë, aq më tepër që ky jeton në një mjerim dëshpërues, madje në verë fle në tarracën e Bashkisë së Madhe, ndërsa në dimër fle, i veshur si palombar, poshtë njërës prej urave të Lanës.
Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se të dy grupimet e sipërpërmendura duket sikur sfidojnë kështu indiferencën e turpshme të shtetasve shqiptarë që, po të kishin sadopak ndërgjegje shoqërore dhe guxim qytetar, duhej ta kishin mbushur plot e përplot sheshgungën “Skënderbej” dhe shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, përfshirë gjithashtu sheshin “Nënë Tereza”, për të protestuar fuqishëm kundër majës së pushtetit qendror dhe majës së pushtetit vendor që “gjobën” e arbitrazhit në fjalë për shtetin shqiptar, pra për Edi Ramën ende kryeministër dhe për Erion Veliajn ende kryebashkiak, të mos e paguajnë shqiptarët e varfëruar deri në asfiksi, por përgjegjësit e fajtorët e vërtetë të gjëmave, mynxyrave e fatkeqësive që po u bien atyre pareshtur, paturpësisht, pabesisht e pa pikë mëshire në kokë, në zemër e në shpirt gjatë këtyre tetë viteve të fundit. Mos vallë kjo indiferencë, kjo plogështi e mefshtësi neveritëse e bën shumëkush të mendojë se shtetasit e Republikës së Rreshkur e të Rraskapitur të Shqipërisë vlejnë sot po aq sa lypësit e prostitutat e rëndomta, pra po aq sa lumpenproletariati i para disa shekujve?
Sidoqoftë, le të më lejojnë zonjat e zotërinjtë e nderuar, që po më lexojnë në këtë çast, t’u kujtoj e rikujtoj fjalën e urtë “Më mirë vonë se kurrë”, të cilën, në kuadrin e tematikës së këtij shkrimi, do ta ndryshoj një grimë duke e rishkruar si vijon: “Më mirë kurrë sesa lypës apo kurvë!”. Le të më lejojnë gjithashtu t’u kujtoj e rikujtoj këtë mendim të Proudhon-it, këtij filozofi francez të shekullit XIX: “Të mëdhenjtë na duken të tillë, sepse kemi rënë në gjunjë.
Atëherë, le të çohemi!”, mendim ky të cilin duhet t’ia përsërisin vetes me zë të lartë, teksa kundrohen në pasqyrën e ndërgjegjes së tyre (nëse e kanë një të tillë), të gjithë ata që, të gjunjëzuar apo madje të shtrirë barkas, nuk do të shkojnë ose do të ngurrojnë të shkojnë për të votuar më 25 prill! Kjo është e vetmja rrugë që duhet të ndjekë çdokush nëse vërtet dëshiron të mos i duket vetja as lypës me vulë, as kurvë me damkë!/panorama.al