Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Lezha se politikanët duhet t’i provojnë qytetarëve se politika është për ta. Rama u shpreh i vendosur se Partia Socialiste do t’i fitojë zgjedhjet e 25 prillit dhe se do të vijojë të qeverisë, ndërsa shtoi:“Duan apo nuk duan ne do ta bëjmë këtë vend dhe kësaj punë i ka vdekur nëna”, tha ai.
Ai theksoi edhe njëherë se është i gatshëm që të bashkëpunojë me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, me kushtin e vetëm që ky i fundit të shkëputet nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili sipas Ramës e kontrollon atë.
“Unë dje kam thënë që jam i gatshëm të bashkëpunoj me opozitën. Sepse PS do ti fitojë zgjedhjet dhe ne do të vazhdojmë të qeverisim. Nëse është e mundur që të bashkëpunojmë pse jo, por ka një kusht që Luli duhet të ndahet nga Saliu dhe Luli vrapon të thotë jo, sepse nëse të thotë po ja hoqën bateritë.
E ripërsëris që është me rëndësi të shkojmë përtej partive, politikanëve dhe t’i japin njerëzve provën që politika është për ta. Por duan apo nuk duan ne do ta bëjmë këtë vend dhe kësaj punë i ka vdekur nëna”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Edi Rama.