Policia është shfaqur sërish në rrugët e Tiranës me patrullime që, sipas versionit zyrtar, synojnë parandalimin e incidenteve në protestë. Në këtë kuadër, dy të rinj janë ndaluar pranë Korpusit Universitar dhe janë marrë në pyetje nga efektivët.

Patrullime në disa zona të kryeqytetit
Prej mëngjesit, forcat e policisë kanë patrulluar në pjesë të ndryshme të Tiranës, në vijim të të njëjtës skemë të ndjekur edhe në ditët e fundit.
Sipas policisë, këto lëvizje lidhen me identifikimin e personave që mund të përfshihen në incidente gjatë protestës. Megjithatë, deri në këtë fazë nuk është bërë publik ndonjë element konkret përtej dyshimeve të ngritura nga vetë uniformat blu.
Dy të rinj të ndaluar pranë Korpusit Universitar
Pranë godinës së Korpusit Universitar janë ndaluar dy të rinj, siç shihet edhe në pamjet e publikuara nga terreni.
Të rinjtë nuk shfaqen duke bërë rezistencë gjatë ndalimit, ndërsa më pas janë marrë në pyetje nga efektivët në vendngjarje.
Forcat Shqiponja në terren
Në aksion kanë qenë të përfshira edhe Forcat Shqiponja, të cilat kanë kryer ndalimin e dy të rinjve.
Deri tani nuk ka informacion për ndonjë akuzë të formalizuar ndaj tyre, ndërsa veprimet e policisë mbështeten, të paktën publikisht, te dyshimi se mund të jenë protestues të dhunshëm.
Prania e shtuar e policisë dhe shoqërimet preventive po kthehen në një praktikë të përsëritur në kryeqytet sa herë ka tension rreth protestave.
Në mungesë të të dhënave më të plota mbi arsyet konkrete të ndalimeve, mbetet për t’u parë nëse këto veprime do të shoqërohen me procedura formale apo do të mbeten vetëm në nivel verifikimesh në terren.
