Alessandra Galloni është gruaja që për herë të parë pas 170-vjetësh merr drejtimin e dhomës së lajmeve në kompaninë e famshme britanike “Reuters”.
Galloni, që do të drejtojë lajmet në këtë agjenci, është me shtetësi italiane.
Sapo është mësuar lajmi, nënsekretari i punëve evropiane, Vincenzo Amendola, e ka quajtur “krenari italiane” 47-vjeçaren me origjinë nga Roma.
Alessandra Galloni do të zëvendësojë postin që mbante Stephen Adler që nga viti 2011. Me Adler në krye, për 10 vjet, “Reuters” ka fituar 7 çmime Pulitzer.
Alessandra Galloni është me eksperiencë në ekonomi dhe politikë dhe njohëse e 4 gjuhëve të huaja. Përpara se të kalonte në agjencinë “Reuters” në vitin 2013, si drejtoreshë e rrjetit të korrespondentëve, rreth 200 të tillë në gjithë botën, shkruante për “Wall Street Journal”. Eshtë diplomuar në Harvard me master në London School of Ecnonomics.
“Prej 170-vitesh, “Reuters” është një agjenci e pavarur dhe e besueshme për mbulimin e lajmeve botërore. Për mua është një vlerësim që të drejtoj një redaksi me gazetarë të rinj e të talentuar”,- tha Galloni në fjalën e prezantimit të saj.