Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës ka depozituar vendimin për shpalljen në kërkim ndërkombëtar për këngëtaren nga Kosova Fjolla Morina, e dënuar me 25 mars nga Gjykata e Shkallës së Parë në Kukës me 6 vjet burgim për “trafik të armëve dhe municionit”.
Morina, e cila u largua në fillim të këtij viti nga banesa në Kukës ku qëndronte në arrest shtëpie, ka qenë në kërkim vetëm në Shqipëri. Kërkesa bashkë me materialin përkatës është nisur të martën në drejtim të Prokurorisë së Përgjithshme dhe është firmosur nga prokurori Edmond Karriqi.
Prokuroria e Përgjithshme është ajo që vendos nëse kërkesa do të miratohet. Nuk është e qartë, nëse Morina do të shpallet në kërkim ndërkombëtar pa mbaruar gjykimi i saj në Apel.
DENIMI
Fjolla Morina u dënua në 25 mars nga Gjykata e Kukësit me 9 vite burgim, që pas zbritjes së 1/3 prej gjykimit të shkurtuar u bënë 6 vjet. Prokuroria kishte kërkuar vetëm 7 vjet për Morinën, por Gjykata u tregua më e ashpër. Gjykata më herët ndryshoi edhe klasifikimin e veprës penale nga armëmbajtje pa leje në trafikim të armëve që e rëndoi pozitën e këngëtares.
E pyetur mbi shpalljen në kërkim avokatja e këngëtares Aurora Guska i tha BIRN-it se kërkesa e Prokurorisë nuk mund të kundërshtohej dhe se ishte e drejtë e atij institucioni ta bënte. Ajo tha se kërkesa duhej të ishte sekrete. Por, Guska pretendon se klientja e saj është e pafajshme për akuzën për të cilën është dënuar dhe kërkon në Apel që dënimi ndaj saj të zbutet.
ARRESTIMI NË KUFI
Këngëtarja Fjolla Morina është arrestuar në muajin shtator të vitit të shkuar, në pikën e kalimit kufitar Morinë, ndërsa ka pranuar se arma e zjarrit pistoletë tip “Zoraki” dhe 23 fishekët i përkisnin asaj. Ajo është justifikuar përballë oficerit të Krimeve se i ndërronte çantat e dorës shpeshherë dhe se nuk e dinte çfarë kishte brenda saj.
“Unë i ndërroj shpesh çantat dhe armën e kisha vënë disa kohë më parë, pikërisht në çantë. E kam harruar aty dhe e mora çantën pa ditur që pistoleta ishte ende brenda dhe udhëtova drejt Shqipërisë”, është shprehur ajo në momentin kur është arrestuar. Këngëtarja nga Kosova u arrestua mesditën e datës 18 shtator, pasi në çantën e dorës iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me 23 fishekë. Fjolla Morina prej kohësh qëndron në qendër të vëmendjes të mediave, për shkak të problemeve me drejtësinë në Shqipëri dhe jetën e saj në arrati.
Disa javë më parë, Policia e Kukësit e shpalli këngëtaren Fjolla Morina në kërkim, pasi ishte larguar nga vendi ku duhet të qëndronte pas një vendimi të Gjykatës. Vendimi i dhënë nga Gjykata e Kukësit që ishte “Arrest në shtëpi”, u thye nga këngëtarja për të vijuar historinë e saj të dashurisë, që sapo kishte lindur në kohën kur ajo u arrestua në pikën kufitare Morinë.