Bullgaria heton shpërthimet në depot e municioneve/ Shteti që dyshohet se qëndron pas veprimit

0
Bullgaria heton shpërthimet në depot e municioneve/ Shteti që dyshohet se qëndron pas veprimit

Prokurorët bullgarë thanë se po mbledhin prova rreth përfshirjes së mundshme të gjashtë rusëve në katër shpërthime midis viteve 2011 dhe 2020 në depot bullgare të armëve, ku ruheshin municione për eksport në Ukrainë dhe Gjeorgji.

Një zëdhënëse tha se prokurorët mund të supozojnë në mënyrë të arsyeshme se ekzistojnë lidhje midis shpërthimeve në Bullgari, përpjekjes për helmim të tregtarit bullgar të armëve Emilian Gebrev në vitin 2015 dhe shpërthimeve të depove të municioneve në Republikën Çeke në 2014.

Gjashtë rusët ishin në Bullgari rreth datave kur ndodhën shpërthimet në depot e armëve dhe pati gjithashtu përpjekje për të helmuar zotin Gebrev, tha zëdhënësja e prokurorisë Siyka Mileva në një konferencë për shtyp të mërkurën.

“Provat e mbledhura deri tani të çojnë, me një shkallë të lartë besueshmërie, në përfundimin se qëllimi i veprimeve të shtetasve rusë ishte të ndalnin furnizimet e Gjeorgjisë dhe Ukrainës me municione” , tha zëdhënësja.

“Po mblidhen prova mbi përfshirjen e këtyre gjashtë shtetasve rusë” , tha ajo.

Ukraina ka patur përplasje me Rusinë që nga viti 2014, kur rajoni i saj i Krimesë u aneksua nga Moska dhe separatistët e mbështetur nga Rusia filluan një rebelim në Ukrainën lindore. Tensionet midis Rusisë dhe Gjeorgjisë kanë qenë të larta që nga lufta e tyre në vitin 2008.

Moska i ka hedhur poshtë aludimet çeke si absurde ndërsa të mërkurën, Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov hodhi poshtë hetimet në Bullgari.

Ai u tha gazetarëve: “Ose pala bullgare nuk dinte asgjë dhe vetëm tani, pasi Republika Çeke njoftoi për incidentin e vitit 2014, vendosi t’ua kalonte çekëve dhe të hetonte më tej në histori, ose ata e dinin gjatë gjithë kësaj kohe por nuk e bënë publike për një arsye ose një tjetër.”

Zonja Mileva nuk i përmendi emrat e shtetasve rusë dhe as nuk dha hollësi të tjera rreth tyre, por tha se tre rusë të cilët janë akuzuar për vrasjen e mbetur në tentativë të zotit Gebrev ka të ngjarë të kenë qenë agjentë të zbulimit.

Javën e kaluar, autoritetet çeke urdhëruan shumicën e stafit diplomatik rus në Pragë të largohej, pas akuzave që ngritën se pas shpërthimeve të depove të municioneve qëndronin agjentë rusë. Rusia dëboi një numër diplomatësh çekë si hakmarrje. Bullgaria ka shprehur solidaritet me Pragën.

Artikulli i mëparshëmKontroll në banesën ku dyshohej se fshihej biznesmeni turk i ‘dy miliardë eurove’, 2 të arrestuar
Artikulli i radhës‘Diplomaci e vaksinave’/ BE: Moska dhe Pekini po dezinformojnë për dozat e prodhuara në perëndim