Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar dje nga detyra Evjeni Sinojmeri, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. KPK e shkarkoi gjyqtaren pasi kjo e fundit nuk e kaloi sitën e vetingut duke mos justifikuar pasurinë. Trupa e kryesuar nga Genta Tafa Bungo me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshin, njoftoi se Sinojmerit i ishte kërkuar disa herë të paraqitej apo paraqiste një mbrojtës, por ajo nuk ishte përgjigjur dhe as kishte marrë në dorëzim materialet e dosjes. KPK konstatoi se Sinojmeri nuk justifikonte pasurinë e për pasojë trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit vendosi shkarkimin e saj nga detyra. Relatorja Zhegu tha se për vitin 2004, Sinojmeri në blerjen e disa apartamenteve në Tiranë dhe Durrës rezultonte me bilanc negativ 4.2 milionë lekë dhe se nuk kishte kthyer përgjigje dhe as vënë në dispozicion dokumente mbi barrën e provës. Nga relatimi rezultoi se Sinojmeri kishte blerë me kredi të butë një apartament në vitin 2003. KPK tha se apartamenti vijonte të ishte me barrë hipotekore, por tha se në këtë rast nuk ishin gjetur probleme. Ndërkohë, nga hetimi kishte rezultuar blerja në vitin 2000 për 26.8 mijë dollarë e një apartamenti në Rrugën e Elbasanit, për të cilin u gjet se gjyqtarja nuk kishte burime të ligjshme në shumën 2.4 milionë lekë. Sinojmerit nuk iu gjetën probleme në pastërtinë e figurës dhe as në profesionalizëm, përpos shkeljes së lejes dhe mungesës së saj në gjykatë për gati 1 vit. Po ashtu, gjyqtares iu gjetën edhe 40 mijë dollarë dërguar djalit në SHBA, ndërsa u gjetën disa vite me bilance negative. Sinojmeri pretendoi sipas KPK se nuk kishte mundësi të sillte kundër argumentet e saj dhe as të siguronte dokumente. Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit në Tiranë, Evjeni Sinojmeri ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, ku ka mbajtur pozicionin e anëtares se Gjykatës së Lartë nga viti 2001 deri në vitin 2010. Në vitet 2011-2013, zonja Sinojmeri ka punuar si këshilltare e Ministrit të Drejtësisë dhe prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Në shkurt të vitit 2018, Sinojmeri u shkëput nga ushtrimi i funksionit pasi mori një leje 2-vjeçare nga KLD për shkëputje të përkohshme nga detyra.