Kreu demokrat Lulzim Basha ka nisur analizën brenda partisë për disfatën në zgjedhje. Dje ai ka pritur në një takim krerët e degëve të PD në vend, ku është folur për rezultatin e 25 prillit. Burime të gazetës bëjnë me dije se Basha ka kërkuar fillimisht që të punohet për të mbledhur sa më shumë fakte e prova që tregojnë se zgjedhjet janë manipuluar. Sipas diskutimeve, kreu i PD ka paralajmëruar se nuk do të njohë rezultatin e 25 prillit dhe sot mund të ketë një qëndrim zyrtar në media. Ndërkohë PD do të faktojë atë që ajo e cilëson masakër zgjedhore. Basha do të nisë një tur takimesh në bazë. Plani është që të hartohet një dosje e zezë me fakte, që sipas demokratëve tregojnë masakrën zgjedhore. Por do të ketë dhe një analizë të punës së brendshme të partisë. Basha ka kërkuar nga degët që të verifikojnë nëse kandidatët për deputetë punuan vetëm për numrin e tyre, apo edhe për partinë. Kreu demokrat para fushatës i udhëzoi deputetët që të mos promovojnë numrin e tyre, por të partisë pasi kjo do sillte konfuzion dhe për pasojë mund të kishim vota të pavlefshme. Duke qenë se shumë vota dolën të pavlefshme, dyshimet janë se deputetët kanë menduar vetëm për numrin e tyre dhe jo për partinë. Po ashtu do të analizohet puna e aleatëve që hynë në lista e PD. Të gjithë dolën të dështuar me numër minimal votash dhe për këtë arsye do shihet kontributi i tyre. Por gazeta ka mësuar se një analizë do të ketë edhe sa u takon raporteve me LSI. Krerët e degëve janë shprehur në takim se një faktor i humbjes ka qenë bashkëpunimi me këtë parti. Ata kanë kërkuar që ky bashkëpunim të marrë fund dhe me shumë gjasë do të kemi divorc Basha-Kryemadhi.
Qëndrimet në PD
Po dje Basha ka takuar shefen e misionit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit, Ursula Gacek, ku në fokus të takimit ishin zgjedhjet e 25 prillit. Në një prononcim për media lideri demokrat tha se nuk do të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike dhe se beteja do të vijojë deri në arritjen e fitores. “Beteja do të vazhdojë deri në fitore”, tha Basha duke lënë të nënkuptuar se nuk ka plan të largohet nga drejtimi i PD-së. Ndërkohë, plani i Partisë Demokratike është që të çojë në KQZ një dosje në të cilën do të përfshihen të gjitha provat e mbledhura për shkeljet gjatë procesit zgjedhor. Demokratët po mbledhin prova dhe fakte që do të përmblidhen në një dosje për të vërtetuar se votat u blenë. Nga selia blu, Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso në një prononcim për media u shpreh se në Partinë Demokratike kanë bindjen se për shkak të parregullsive të mëdha në disa zona do të ketë rinumërim dhe rivlerësim të votave. Ai theksoi se këto prova do të bëjnë që kutitë në disa qytete të rinumërohen. “Materialet që ne po nxjerrim do të çohen jo vetëm në SPAK dhe KQZ, por besojmë se ato do të çojnë drejt procesit të rinumërimit dhe rivlerësimit të një numri të caktuar votash dhe kutish. Besojmë se një numër i caktuar votash do të rinumërohen dhe rivlerësohen në kuadër të procesit ankimor”, tha ai. Ndër të tjera, Kaso u shpreh se edhe Kodi i ri Zgjedhor u mundëson partive rinumërimin. Ai theksoi se edhe para zgjedhjeve kjo parti ka depozituar në SPAK kallëzime penale lidhur me parregullsi në procesin e zgjedhjeve. “Është e hapur mundësia në bazë të materialeve që do të zbulohet të kërkohet rikuperimi i ligjshmërisë nëpërmjet organizmave që siguron Kodi. Kodi i ri u mundëson hapjen e kutive në rast se janë vërejtur parregullsi gjatë procesit zgjedhor edhe partive të vogla. PD kërkon të hedhë dritë mbi këtë proces të errët zgjedhor i karakterizuar me parregullsi të shumta. Edhe në periudhën para zgjedhore ne kemi depozituar rreth 180 kallëzime penale në prokurori dhe mbi 40 në SPAK”, tha Kaso.