Spartak Ngjela nxjerr “zbuluar” ambasadorin e njohur/Ja kush ka dashur të manipulojë zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri…

0
PRAPASKENAT! Spartak Ngjela nxjerr “zbuluar” ambasadorin e njohur,

Avokati i njohur Spartak Ngjela u shpreh se Shqipëria do të jetë vendi kryesor i Ballkanit Perëndimor në konfliktin midis NATO-s dhe Rusisë.

Ngjela u shpreh se Rusia ka dashur të manipulojë  zgjedhjet edhe në Shqipëri  duke u nisur nga deklarata e ambasadorit të Rusisë në Tiranë ku e tha hapur: “Presim ndryshimin politik”.

Avokati tha se kjo gjë nuk ndodhi pasi nuk e lejuan ndërkombëtarët.

ANALIZA E PLOTË

“Koha e solli sërish: Shqipëria do të jetë vendi kryesor i Ballkanit Perëndimor në konfliktin midis NATO-s dhe Rusisë.

Shqiptarët, edhe një herë në histori, do të jenë të domosdoshëm për politikën amerikane.

l.

Historia përsërit vetveten, kjo tani është një aksiomë historike e provuar, sepse çdo cikël historik është përsëritës. Kurse pozicioni gjeografik i Shqipërisë ka qenë dhe është pikë strategjike në konfliktin global. Sot Shqipëria është një qendër gjeopolitike e rëndësisë së veçantë, për historinë botërore

Ishte presidenti amerikan John Fitzgerald Kennedy në vitin 1961, i dyti president i Shteteve të Bashkuara, mbas presidentit Willson, që i tha kryeministrit ruso-sovjetik, Nikita Hrushov: “Shqipëria nuk preket”. Dhe Hrushovi iu përgjigj: “Unë iki nga Vlora”; në një kohë kur ai kishte në Pashaliman flotën më të madhe në Mesdhe.

Po sot?

Edhe sot është e njëjta situatë. Shqipëria dhe shqiptarët janë domosdoshmëri për politikën amerikane, dhe ky fakt i sjell shqiptarëve sërish historinë e lavdisë së tyre, lavdi kjo e cila ka filluar me Aleksandrin e Madh; ka vijuar me Pirron e Epirit, ka ecur në një histori luftërash dhe mbijetese kundër dyndjeve sllave; ka vijuar me rezistencën e madhe kundër genocidit antishqiptar serb dhe grek; ka triumfuar në luftërat kastriotiane me heroin kombëtar dhe evropian njëherësh, Gjergj Kastriot Skënderbeun; dhe ka rifilluar triumfin e vet arbëror me luftën e Kosovës.

Ishte këtë herë gjenialiteti i presidentit amerikan Bill Klinton, në vitin 1999, që çliroi Kosovën nga pushtimi serb. Përsëri një president amerikan.

ll.

Janë 22 vjet të triumfit shqiptar, por edhe një agresivitet i madh i Serbisë, me çdo mjet kundër shqiptarëve. Gjithë llumi antihistorik u bashkua për të ndaluar evolucionin arbëroro-shqiptar në evolucionin e vet historik. U sulën të gjithë me çdo mjet: hapën e ndërtuan xhami e blenë hoxhallarë antishqiptarë, të cilët thonin “ne nuk jemi arbërore”; u hodhën kundër Gjergj Kastriotit, e quajtën atë serb me agjenturën e tyre në Shqipëri e në Kosovë; madje në Kosovë filoserbët e paguar shqiptarë donin ta hiqnin nga sheshi monumentin e tij; rishkruan historinë fals të Shqipërisë. Beogradi dhe Moska paguan në Tiranë pseudo-analistë, tani të skeduar të gjithë nga politika amerikane, që u ngritën hapur kundër shqiptarizmit; blenë televizione dhe gazetarë; por nuk bënë dot asgjë.

Gjatë gjithë kësaj kohe; aleati ynë i madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qeshte dhe tallej me palaçot e Tiranës, të Beogradit e të Moskës, derisa morën si bazë ushtarake aeroportin historik të Kuçovës dhe, befas, organizuan dhe filluan në Shqipëri stërvitjen ushtarake më të madhe në rajon, e gjitha me synim kundër Rusisë.

Tani të gjithë e kanë qepur. Janë të trembur.

Në fakt kishin edhe një shpresë me zgjedhjet e 25 prillit, aq sa ambasadori i Rusisë në Tiranë e tha hapur: “Presim ndryshimin politik”. Siç duket kanë dashur të manipulojnë zgjedhjet edhe në Shqipëri. Por thyhen hundët.

Asgjë nuk bënë dot. Dhe asgjë nuk mund të bëjnë. Forcat ushtarake amerikane nuk kanë ardhur kot sot në Shqipëri.

Gjithçka tani është e garantuar.

Progresi shqiptar drejt evolucionit të vet historik gjithëshqiptar, sot është i sigurt. Dhe gjithçka po ecën paralel me reformën antikorrupsion në Shqipëri, e cila, po pritet që të likuidojë me ligj të gjithë korrupsionin e lartë shtetëror.

Korrupsioni i lartë shtetëror sot është kundër progresit shqiptar, në Shqipëri dhe në Kosovë, por tani ai është drejt fundit të tij të sigurt”, shkruan Spartan Ngjela.

Artikulli i mëparshëm“Ke humbur 3 herë zgjedhjet”, Arben Ristani godet fort Bashën në mbledhje: Një herë që fitove, të gjithë e dimë si ia dole
Artikulli i radhësI shpërthen granata duke punuar tokën/Detajet nga ngjarja e tmerrshme: Fermerit i kishte ikur gjuha…