Në numrin e madh të kandidatëve që po konkurojnë për garën brenda PD, sot ka vendosur të hyjë në betejë edhe Agron Shehaj. Pas Fatbardh Kadillit, Ibsen Elezit dhe Edit Harxhit, kandidatura e Shehajt ka tendencën ti japë një hije serioziteti më shumë një sfide të konsideruar si “fake” nga publiku.
Lulzim Basha e minoi atë duke afruar në mënyrë të pakuptueshme garën pa mbaruar procesi elektoral i zgjedhjeve të 25 prillit, duke lënë shumë pak ditë për regjistrimin e rivalëve dhe duke lënë vetëm dy javë kohë për fushatën brenda partisë.
Për të gjitha këto arsye gara dukej fallco dhe e manipuluar.Por futja e Shehajt, ndonëse nuk e rikthen besimin e plotë tek një konkurim i ndershëm, i cili është tërësisht i minuar, i jep gjithësesi sharimin e një sfide me kuptmi.
Së pari sepse Shehaj nuk është nga ata kandidatë që janë kritikë ndaj kryetarit për faktin e thjeshtë se nuk i ka futur në listat e deputetëve. Pra kandidatura e tij është e zhveshur nga akuzat për mëri personale dhe hatërmbetje.
Së dyti sepse ai qe një nga deputetët më të votuar në sistemin e listave të hapura të PD dhe bëri një fushatë model në Tiranë e cila i siguroi rreth 14 mijë vota personale.
Së treti ai së bashku me Jorida Tabakun kanë qenë akuzues seriozë që nuk kanë bërë kompromise në denoncimet ndaj oligarkëve të Ramës duke prishur një tendencë të vendosur në PD për ti trajtuar përfituesit e tenderave dhe koncesioneve me dy standarte.
Ai ishte i pari nga opozita që zbuloi dhe denoncoi skandalin 20 milionësh të unazës së re që u fitua nga kompania me letra të fallcifikuara, DH Albania.Së katërti ai ka edhe avantazhin financiar, si një biznesmen i fuqishëm në Shqipëri dhe Itali, çka është një aty e domosdoshme për të bërë fushatë kundër Bashës.
“Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime” tha ai në deklaratën e shpalljes së kandidaturës.
Nëse këto janë avantazhet e tij në këtë garë. Ai ka edhe pika të dobta. Kështu, Shehaj nuk do të mund të shfrytëzojë në këtë sfidë atunë e mbrojtjes të traditës berishiste që Basha po e tradhëton përditë e më shumë.
Por në këtë pikë duket se Shehaj do e ketë të vështirë të luajë rolin e radikalit për të kapur këtë krah të zhgënjyerish brenda opozitës.
Një tjetër pikë ku ai është i ngjashëm me pozicionet e sotme të kryetarit aktual është pika për një opozitë brenda parlamentit pavarësisht manipulimit të zgjedhjeve.
Po Agron Shehaj, ka një pozicion midis Lulzim Bashës që e vë theksin vetëm tek vjedhja dhe blerja e votës dhe kundërshtarëve të liderit që e bëjnë atë totalisht fajtor për humbjen.
Ai mendon se rezultati i 25 prillit ishte një sintezë e këtyre dy faktorëve.
Mbetet të shihet se sa në këtë kohë të shkurtër, ky qëndrim prej të moderuari këmbëngulës do të arrijë ta zgjojë nga shushatja një parti ende të tronditur nga humbja e katër elektorale radhazi.
“Ne demokratët do ta kapërcejmë gjendjen e vështirë ku jemi dhe do ngrihemi më të fortë se më parë. Përballë autokracisë, korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë, ne do të ndërtojmë alternativën e lirisë, ndershmërisë dhe aftësisë.
Për këtë duhen energji të reja, vizion i ri, drejtim i ri”, deklaroi sot Shehaj.