Tregjet e aksioneve janë karakterizuar nga paqëndrueshmëria gjatë javës që u mbyll, ndërsa investitorët kanë hedhur sytë nga tregjet europiane, për shkak të rimëkëmbjes së ekonomisë nga pandemia e Covid-19. Fondet e kapitalit në Europë kanë shënuar serinë më të gjatë të flukseve hyrëse në më shumë se 3 vjet. Madje, analistët e Morgan Stanley rekomandojnë mbajtjen e aksioneve europiane, pasi pritet të realizojnë performancë mjaft të mirë gjatë këtij viti.
Fokusi në bursat europiane vjen pasi bençmarkët e rajonit kanë realizuar një ecuri më të mirë krahasuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Indeksi STOXX 600 është në rritje me rreth 10.7%, krahasuar me një vit më parë, ndërsa indeksi S&P 500 është në rritje pak më të vogël. Investitorët shikojnë mundësi të shumta investimi, ndërkohë që rimëkëmbja e Europës nga pandemia ka filluar të marrë vrull, ndërsa në Shtetet e Bashkuara ekonomia parashikohet ta ngadalësojë hapin e rritjes.
Pasi u kontraktua në tremujorin e parë të këtij viti, Prodhimi i Brendshëm Bruto në Eurozonë parashikohet të rritet ndjeshëm në tremujorin e dytë, ndërsa në tremujorin e tretë pritet të rritet me një hap rekord prej 9.2% me bazë vjetore. Në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë, ekonomia parashikohet të arrijë kulmin në tremujorin e dytë, më një rritje prej 13.3%, ndërsa pritet të ngadalësohet në tremujorin e tretë.