Gazetari Aleksandër Çipa komentoi aktualitetin politik në vend, duke filluar nga shpallja non grata e ish-kryeministrit Berisha e deri tek zgjedhjet e brendshme në PD për zgjedhjen e kreut të ri të saj.
Në një emision televiziv Çipa deklaroi se vendimi për Berishë nuk është vetëm një deklaratë politike, por teksti mban brenda dhe një akuzë të krijuar prej përgatitjes institucionale dhe konsulencave nga ana e ShBA-ve.
“Unë nuk njoh ndonjë rast në karrierën time që Sekretari Amerikan i Shtetit ta bashkëshoqërojë vendimin edhe me një akuzë. Është një ndër akuzat më të rënda që ka patur në nivele kaq të larta të qeverisjes.
Teksti i akuzës që bën Sekretati Amerikan i Shtetit është një tekst që përfshinë konkretësinë dhe jo të bazohet vetëm në deklarata politike.
Ky është një tekst që parakupton faktin se për të mbërritur në një vendim të tillë i është dashur një konsulencë dhe një përgatitje institucionale. Të paktën përgatitja dhe njohja institucionale e ShBA-ve nuk të fal në raste të tilla”, tha Aleksandër Çipa.
Për sa i përket zgjedhjeve në Partinë Demokratike gazetari u shpreh se më i favorizuari në garë, sipas një analize të deritanishme, është kryedemokrati Basha, pasi kontrollon strukturat dhe infrastrukturën e zgjedhjeve.
“Ky është arsyetim për legjitimimin e regjisë së paramenduar. Nuk paragjykoj askënd dhe flas për të katërt personazhet. Nëse do të ketë një balotazh që unë personalisht nuk e besoj, do të legjitimojë procesin. Në analizën e deri tanishme i favorizuari për të fituar është Lulzim Basha, pasi ka infrastrukturën e zgjedhjeve dhe tashmë ka nisur turin e fushatës’, tha Çipa.
Pjesëmarrjen e PD-së në parlamentin e ardhshëm, Çipa e sheh si diçka të vendosur tashmë, dhe askush në të djathtën sipas tij nuk po artikulon për një bojkot të mundshëm, pasi do të ishte një vetëvrasje politike.
“Nuk ka alternativë që opozita të mos shkojë në parlament, është një tentativë për vetëvrasje. Madje dhe kjo temë nuk është pjesë e diskutimit të brendshëm mes kandidatëve, të cilët në unanim artikulojnë nevojën e futjes në parlament. Disa prej tyre e kanë cilësuar djegien e mandateve si një gabim të opozitës”, deklaroi Çipa.