Operacioni ‘Binomi’/ Sekuestrohen eksploziv, armë dhe fishekë, policia vë në pranga 3 persona në Durrës

0
Finalizohet operacioni ‘Binomi’ në Durrës, sekuestrohen

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin ‘Binomi’, falë të cilit janë sekuestruar eksploziv, armë dhe fishek. Nga ky operacion kanë rënë në pranga 3 persona.

Njoftimi:

Durrës

Finalizohet operacioni policor i koduar “Binomi”.

Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve eksplozive dhe të armëmbajtjes pa leje.

Vihen në pranga 3 persona që ushtronin këtë veprimtari kriminale.

Sekuestrohen 4.6 kg lëndë eksplozive tritol dhe C-4, një kallashnikov, municion luftarak, granata dore dhe kapsolla detonatore.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me strukturat e tjera policore të DVP Durrës, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Binomi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

B. F., 42 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja”;

A. Gj., 33 vjeç dhe J. F., 33 vjeç, banues në Tiranë.

Pas një hetimi njëmujor u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë kriminale të kryer nga këta shtetas në fushën e trafikimit të armëve, lëndëve eksplozive dhe municioneve, në qytetet e Tiranës dhe Durrësit.

Bazuar në këto prova, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit”, Durrës, në kuadër të operacionit “Binomi”, u bë kapja dhe arrestimi i këtyre personave. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Land-Rover Frilander”, me drejtues shtetasin J. F. dhe pasagjerë shtetasit B. F. dhe A. Gj., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale:

• 1.2 kg eksploziv i paketuar i dyshuar i llojit C-4;

• 2.2 kg lëndë eksplozive e dyshuar tritol;

• 3 granata dore luftarake;

• 4 aparate telefoni celular.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti tip “Land-Rover Frilander”.

Po në funksion të procedimit penal të nisur një muaj më parë për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov dhe 1.2 kg lëndë eksplozive tritol, 5 kapsolla detonatore dhe një sasi municioni luftarak.

Vazhdon puna për dokumentimin e plote ligjor të kësaj veprimtari kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Durrës, për hetime të mëtejshme.

Artikulli i mëparshëm24 ore i rrethuar ne pyll/ Plagoset ‘Rambo’ i Francës, sulmoi policinë
Artikulli i radhësShifrat e frikshme: Ndryshimet klimatike shkaktare të 37% të vdekjeve nga temperaturat e larta