Reklamohej si modele/ Ja pse ILD kërkon shkarkimin e gjyqtares Kapedani. KLGJ e fut në rend dite

0

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka futur në rend dite kërkesën për shkarkimin e gjyqtares Enkeleda Kapedani.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, i dorëzoi KLGJ-së një ditë më parë kërkesën për pezullim dhe shkarkim nga detyra të magjistrates së Elbasanit.

Kërkesa vjen pas publikimit të disa videove që gjyqtarja kishte publikuar në rrjetin social “Tik Tok”, si në zyrën e saj në Gjykatën e Elbasanit, ashtu edhe në ambiente të tjera.

Ajo ka mohuar publikimin e videove, duke mos pranuar ekzistencën e një profili personal në rrjetin social “Tik Tok”.

Publikimi i tyre ka vënë në lëvizje Institucionet e Drejtësisë në vend. Fillimisht, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë urdhëroi fillimin e një hetimi disiplinor ndaj Enkeleda Kapedanit.

E më pas një reagim i ashpër erdhi nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, që kërkon edhe hetim të pasurisë së saj.

“Të pakomentueshme shfaqjet e gjyqtares së Elbasanit. Qysh prej dhjetorit 2019, i kam kërkuar me shkrim KLGJ-së verifikimin dhe marrje mase për të pas lirimit të një subjekti kriminal. Tani uroj që jo vetëm të merret masa e duhur, por edhe të hetohet në mënyrë të thelluar gjendja pasurore e kësaj gjyqtareje”.

Në videot e bëra publike, Kapedani ecën brenda korridoreve të Gjykatës si në pasarelë dhe pozon në mënyrë provokuese në zyrë, jashtë çdo etike për një gjyqtare.

Në një video tjetër, ajo filmon veten duke dëgjuar në sfond një këngë ku dëgjohen fjalë si “Mafia” apo “Kolumbia”. Pas këtyre videove, ka reaguar edhe reperi Don Xhon.

Ai ka publikuar në llogarinë e tij në “Instagram” videon e gjyqtares, duke dëgjuar këngën e tij dhe përkrah saj ka vendosur një “emoji”, që tregon mimikën e një personi që mendohet.

Më pas, ai publikoi një tjetër video të vetes në “Instastory”, krahas së cilës shkroi:

“Gjej dikë më të fuqishëm se unë… po pres!”, duke treguar në këtë mënyrë edhe nivelin, në të cilën gjyqtarja e Elbasanit e kishte vendosur institucionin që ajo drejtonte.

Po ashtu, kryegjyqtarja reklamonte në “Tik Tok” veshjet e markave të shtrenjta, shoqëruar me komente pikërisht mbi markat, makinën e saj tip BMW dhe shfaqej duke drejtuar makinën me shpejtësi apo duke përdorur telefonin në timon, vepra të cilat janë të dënueshme edhe ligjërisht.

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë e hetoi gjyqtaren e Elbasanit, Enkeleda Kapedani, për thyerje të Kodit të Etikës së Gjyqtarëve, kod i cili duhet të monitorohet pikërisht nga krerët e gjykatave.

Në një reagim për mediat, vetë Kapedani thotë se ajo nuk ka një adresë në rrjetin social “Tik Tok”, por nuk shpjegon se kush i ka xhiruar videot e saj dhe si kanë përfunduar ato në internet.

Sipas gjyqtares, shpërndarja e videove është bërë qëllimisht për të përbaltur figurën e saj.

Artikulli i mëparshëmEmërohet drejtuesi i ri i ‘Patentave’ në Gjirokastër (EMRI)
Artikulli i radhës‘Shefqet Ndroqi’ i kthehet normalitetit, nuk do shërbejë më si spital Covid