Vetëm 5 minuta para mesnatës së të mërkurës, një tjetër atentat ka tronditur sërish qytetin e Vlorës, ku është ekzekutuar me breshëri kallashnikovi 35-vjeçari Shkëlzen Vela.
Pasi kishte pikasur një makinë të dyshimtë që e ndiqte, Velaj ka nxituar që të shkonte në banesën e tij, ku në portën e shtëpisë u qëllua me breshëri plumbash.
Fqinjët rrëfejnë se nëna nuk ka mundur që të hapte derën pas thirrjes së djalit të saj, për shkak se ka qenë e tronditur nga të shtënat.
Fqinjët tregojnë se Shkëlzen Velaj nuk kishte sjellë asnjëherë probleme në pallatin ku jetonte, madje ai kujdesej dhe për mirëmbajtjen e tij si dhe për shtrimin e rrugës pranë banesës.
Raportohet se pallati ku jetonte Velaj është i pajisur me kamera sigurie që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë.
“Ai nuk kishte fare probleme, edhe rrugën ai e ka shtruar, edhe ne kemi dhënë lekë, por nuk pranonte ai. Grua më të mirë se nëna e tij nuk gjen në botë”, thanë fqinjët për Fax News.
“Isha atje deri vonë, nëna e mori vesh, për vdekjen i thanë pas orës 2 e gjysmë. Djali i kishte thënë hape derën hape derën, dhe se kishte hapur dot nga zhurma, se ishte tromaksur”, shprehet një fqinje e familjes Velaj.