Vetëvrasja e dyshimtë e miliarderit rus

0

Një miliarder rus, zotërues i një korporate botërore të qymyrit, është gjetur i vrarë me armë në shtëpinë e tij, me një pistoletë pranë trupit. Trupi i Dmitry Bosov, 52 vjeç, u zbulua nga e shoqja Katerina në palestrën e tij private të mbyllur me çelës, në atë që duket si një vetëvrasje në vilën e tij në Moskë. Bosov dhe gruaja e tij stiliste Katerina paguan vitin e kaluar $30 milionë për një shtëpi në Beverly Hills, SHBA, pas raportimeve se po pësonin sulme të dyshimta ndaj biznesit në Rusi.

Bosov, një nga 86 më të pasurit në Rusi, raportohet se ka qenë përfshirë dhe në tregtinë e marijuanës së ligjshme në SHBA. Ai kishte vdekur nga një plumb në kokë. Një pistoletë Glock u gjet pranë trupit të tij në vilën në fshatin rezidencial Usovo, pranë Moskës.

Agjencia ruse RBC tha se dy të njohur të Bosov pranonin se ai kishte vrarë veten. Gjithsesi dyshimet mbeten pasi asnjë letër vetëvrasjeje nuk është gjetur. Bosov – me pasuri $1.1 miliardë – drejtonte korporatën Alltek që kontrollon prodhimin e qymyrit në zonën Anthracite në Siberi.

Kompania Siberia Anthracite tha se babai i 5 fëmijëve “vdiq tragjikisht”, ndërsa e quante “biznesmen i shquar” e “inovator i guximshëm”. Burimet thonë se ai nuk i përgjigjej telefonatave prej 5 majit. Gruaja e tij duhej të thyente derën e palestrës me një roje, për ta gjetur të vdekur. Bosov ishte një figurë në kampionatin rus të veteranëve të hokeit, të sponsorizuar dhe nga presidenti Putin.

Vajza e tyre 2-vjeçare Bella Alexa, është një “yll” i mediave sociale me rreth 354 mijë ndjekës. Ajo ka një përshkrim në biografinë e saj si “Fëmijë i pasur i Beverly Hills”. Fotot e tregojnë vogëlushen me familjen që bredh nëpër botë me avion privat dhe me rroba të kushtueshme.

Artikulli i mëparshëmMilan dhe Inter kanë gati projektin e përbashkët 1 miliard Euro për super San Siro-n e ri
Artikulli i radhësSi po e përdor Rama koronavirusin për t’u hakmarrë ndaj studentëve dhe pedagogëve