Italia i ka surprizuar të gjithë me performacën e zhvilluar në Kampionatin Europian. Fryma e grupit e krijuar nga një trajner si Roberto Mancini i ka sjellë frytet. Azurrët janë skuadra që bën diferencën në “EURO 2020” në shumë aspekte.
Kush e kishte imagjinuar që 36% e golave deri më tani, kur është mbyllur xhiro e dytë e ndeshjeve, do të vinin nga Serie A. Nga 50 gola të shënuar në total, 18 prej tyre vijnë nga lojtarë që aktivizohen në Serie A. Juventus është ekipi me më shumë gola, 5 e ndjekur nga Inter me 4.
Në këtë garë “bomberash”, Serie A ndiqet nga Bundesliga me 14 finalizime që vijnë nga ky kampionat. Shumë larg pritshmërive është Premier League, me 8 finalizime, ndërsa La Liga u shpëtua vetëm të shtunën me golin që Griezmann realizojë kundër Hungarisë, 2 nëse përfshijmë edhe golin e Depay që së fundmi u zyrtarizua tek Barcelona.