Vrasja e 20-vjeçarit Myzerim Zeneli në Velipojë ka tronditur mbarë opinionin publik në Shqipëri. I riu humbi jetën në ditën e tij të parë të punës, pasi disa pronarë “gangsterë” vendosën të lanin hesapet me njëri tjetrin duke përdorur armët.
20-vjeçari ishte rritur jetim dhe jetonte vetëm me nënën në kushte jo të mira ekonomike, ndaj kishte filluar punë, por pa e ditur se ëndrrat e tij do të shuheshin nga plumbat që as nuk ishin nisur për të.
Në rrjet ka pasur postime të shumta që solidarizoheshin me të riun, por njëri prej tyre ishte më i veçantë. Reperi nga Kosova Capital T ka ofruar të paguajë të gjitha shpenzimet për funeralin e 20-vjeçarit, duke parë gjendjen jo të mirë ekonomike të nënës së tij.
“Unë jam gati t`i kryej të gjitha ritualet nëse ka nevojë vetëm të më shkruaj dikush nga familjarët në mesazhe”, ka komentuar reperi në postimin e blogerit Olti Curri.