Janë zbardhur të tjera detaje nga ndodhi mbrëmë pas mesnate në Velipojë, ku 4 persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur.
Nga raportimet mësohet se mes familjes Ferracaku dhe Gocaj kishte nisur një konflikt prej mesditës së djeshme, i cili degjeneroi më pas në përdorimin e armëve nga të dyja palët.
Mësohet se Kujtim Ferracaku, së bashku me të vëllanë e tij, Hasan Ferracaku, pronar të hoteli Fantazia, kishin shkuar për tu sqaruar pranë hotelit Gocaj, por duket se mes palëve tonet kanë qenë të nxehta, dhe më pas situata ka degjeneruar në përdorimin e armëve.
Sipas Policisë në vendngjarje është gjetur vetëm një armë pistoletë, ndërsa të dhënat janë se është përdorur më shumë se një armë. Deri në momentet që flasim nuk dihet ende se kush ka qëlluar i pari, dhe ende asnjë të arrestuar, për këtë ngjarje me përmasa tejet të rënda.
Sa iu takon të plagosurve Hasan Ferracaku dhe Elmind Dyli, mësohet se janë në gjendje serioze për jetën, dhe janë dërguar për kurim në spitalin e Traumës në Tiranë. Nuk dihet ende nëse policia ka mundur që të sigurojë dëshmi të tyre sa i takon konfliktit.