Komisioneri Publik kërkon në Apel shkarkimin e prokurores Elisabeta Imeraj

0

Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për rikonfirmimin në detyrë të drejtueses së Prokurorisë së Tiranës Elizabeta Imeraj.

Në njoftimin e Komisionerëve Publikë thuhet që: “Vendimi është i cënueshëm në tërësinë e tij dhe se subjekti i rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë”.

Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin.

Ishte ONM që u rekomandoi Komisionerëve Publikë që të ankimojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për konfirmimin në detyrë të prokurores Imeraj. ONM-ja shprehet se një kredi prej dy milion lekësh e marrë prej saj dhe bashkëshorti i saj, me të cilin është divorcuar në vitin 2019 është tejet e dyshimtë. ONM-ja përmend dhe një çështje që përfaqësuesit e saj e kishin ngritur dhe gjatë procesit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Njoftimi i plotë

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj me detyrë prokurore/ Drejtuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në vlerësim edhe të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), konstaton se vendimi është i cënueshëm në tërësinë e tij dhe se subjekti i rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë.

Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr.363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe rekomandimi i ONM-së me shtesën (Addendum) janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Artikulli i mëparshëmCovid pëson një tjetër mutacion/ Varianti “Lambda” më ngjitës dhe ndoshta më vdekjeprurës
Artikulli i radhësMbërrijnë mbi 16 mijë vaksina Pfizer, por për “popullin” ka vetëm kineze