Ish-sekretari i përgjithshëm i PD-së, në një interviste televizive ka deklaruar se Lulzim Basha e ka çuar Partinë Demokratike nga humbja në humbje pa mbajtur përgjegjësi.
Në lidhje me kritikat e z. Basha i cili në Kuvendin e PD-së përmendi se disa demokratë i janë kthyer kundër Partisë Demokratike, z. Ristani tha se në fakt i janë kthyer kryetarit Basha dhe jo PD-së dhe se për të, PD-ja është shumë e rëndësishme.
“As që kemi çuar në mendje, jemi rritur, jemi pjekur bashkë me PD-në, kam qenë student i grevës së urisë, në mitingjet e para fare kur ka lindur PD-ja. Në makinë me Berishën dhe Azemin. Ne jemi bashkëudhëtarë që nga dita e themelimit. E duam, unë e dua me shpirt, më duket sikur është pjesë e imja”, u shpreh Arben Ristani.
Arben Ristani tha se PD-ja ka lindur për të qenë parti e parë, mirëpo kohët e fundit kjo parti gjendet në fazë kritike dhe sipas tij, kjo ndodh për shkak të mënyrës së drejtimit të Lulzim Bashës.
“Shkaku kryesor është kompleksi i Bashës dhe paaftësia e tij për ta drejtuar PD-në dhe për ta bërë fituese. Që nga momenti i parë largoi një numër të madh figurash historike dhe e vazhdoi këtë më tutje”, tha Arben Ristani.