Raportohet nga mediat greke se një skelet njeriu është gjetur në një fuçi plastike në Kretë. Trupi i dekompozuar është zbuluar nga policia, ndërsa ende nuk dihet kush është ky person, i cili mendohet se është vrarë dhe është varrosur në këtë mënyrë.
Rasti nuk është i njohur, por mediat në vendin fqinj thonë se dy janë pistat ku po hetohet. E para është zhdukja e një të riu shqiptar. Kjo ende nuk është e vërtetuar, pasi hetuesit thonë se mosha e re e shqiptarit të zhdukur nuk përputhet me atë të trupit që u gjet sot. Megjithatë do të priten rezultatet e ADN-së për të hedhur dritë mbi ngjarjen.
Ndërsa pista e dytë e hetimit është ajo e ndonjë emigranti të huaj, por edhe kjo është një teori e momentit.
Policia thotë se nga ekzaminimet mjekësore nuk janë konstatuar dëmtime të dukshme, psh nga ndonjë armë zjarri. Sipas tyre vrasja mund të jetë bërë me anë të mbytjes. Rezultatet e ADN-së pritet të zbulojnë kush është ky njeri, i cili u gjet rastësisht në një fuçi.