Lajme të mira vijnë nga Shëndetësia sa i përket shifrave të COVID-19. Marjeta Dervishi, nga Instituti i Shëndetit Publik në përditësimin e situatës sot tha se përqindja e pozitivitet ditor është 2.67 % e totalit të testimeve dhe është përqindja më e ulët e pozitivitetit ndaj totalit të testimeve.
Nga 198 raste aktive, më pak se 15% e tyre po trajtohen në spitale. Situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbeshtetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin epidemiologjik në mënyrë aktive.
Dervishi deklaroi se gjatë ditëve të fundit kemi një përmirësim të situatës edhe në spitale. Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, janë të shtruar 29 pacientë dhe vetëm 4 prej tyre janë në terapi intensive, dhe prej më shumë se 10 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete.
Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 856 qytetarë. Prej tyre 627 qytetarë, pra mbi 70% tashmë janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 198 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Fier, Kamëz.
Me pak se 15% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes.