Pas dekadash paqeje, Rusia e riktheu luftën në Europë vitin e kaluar, duke e sjellë botën rrezikshëm pranë një përplasjeje midis fuqive të mëdha. Pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, i gjithë Perëndimi dhe shumë vende të Evropës Lindore u rreshtuan në mbështetje të Kievit, duke sjellë rishfaqjen e ndarjeve gjeopolitike të mëdha dhe spektrin e luftës bërthamore, të paralajmëruar shpeshherë nga Moska si një kërcënim për të realizuar deri në fund synimet e saj perandorake.
Lufta në Ukrainë ka pasur një efekt domino në skenën globale, duke i bërë më të besueshme konfliktet që dukeshin të fjetura. Sipas analistëve të “19FortyFive”, janë 4 skenarët ku këtë vit mund të shpërthejnë konflikte të reja në shkallë të gjerë.
Tajvani
Në lidhje me përplasjen midis Tajvanit dhe Kinës, vitin e fundit ka pasur ndjesi të përziera. Nga njëra anë, Pekini nuk e ka shkelur kurrë hapësirën ajrore të ishullit kaq shumë herë dhe me kaq shumë mjete sa në vitin 2022. Nga ana tjetër, shqetësimet për një pushtim të menjëhershëm janë zbehur nga problemet e brendshme të Kinës për shkak të pandemisë së vazhdueshme të Covid-19, dhe mbështetjes së vazhdueshme të SHBA për Tajvanin.
Gjithsesi, vendimi i Uashingtonit për të marrë një qasje të qartë për mbrojtjen e Tajvanit, ekzistenca e të cilit si shtet nuk është njohur kurrë zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara, tregon se ka një shqetësim real për një sulm të mundshëm kinez ndaj ishullit, apo për një skemë të ngjashme me atë që ka ndodhur në Hong Kong.
Njëkohësisht, vetë qëndrimi i SHBA-së ndaj kësaj çështje e mban të lartë rrezikun e një përshkallëzimi. Në çdo rast, një sulm i mundshëm nuk do të ishte i papritur. Sepse përgatitjet ushtarake kineze janë të dukshme për të gjithë. Por çdo skenar i imagjinueshëm rrezikon të përfshijë Shtetet e Bashkuara por edhe Japoninë gjithashtu, duke rritur rrezikun e një lufte midis fuqive të mëdha.
Greqia dhe Turqia
Marrëdhëniet midis Greqisë dhe Turqisë janë ndoshta një nga problemet më serioze brenda aleancës së NATO-s. Gjatë vitit të kaluar, tensionet midis dy vendeve u rritën ndjeshëm, kryesisht për shkak të ndryshimit agresiv të Turqisë në politikën e jashtme, dhe cënueshmërisë së brendshme të regjimit të Erdogan.
Për më tepër, mosmarrëveshjet midis Athinës dhe Ankarasë janë përkeqësuar për shkak të krizës së emigracionit dhe eksplorimeve për gaz në Detin Egje, ku ekziston prej dekadash një mosmarrëveshje territoriale. Ndërsa ka pak gjasa që dy aleatë të NATO-s të sulmojnë hapur njëri-tjetrin, historia tregon se edhe vendet mike mund të jenë në prag të luftës në rastin e dallimeve të thella, pavarësisht angazhimeve të tyre. Çdo lloj konfrontimi midis Turqisë dhe Greqisë do të përfshinte menjëherë NATO-n dhe, pothuajse me siguri, do të përfshinte gjithashtu një ndërhyrje oportuniste nga Rusia.
Gadishulli Korean
Ndërsa Koreja e Veriut vazhdoi të forcojë lidhjet e saj me Rusinë, tensionet me Korenë e Jugut u përshkallëzuan gjatë gjithë vitit 2022. Provokimet e Koresë së Veriut kanë qenë më të shpeshta se kurrë më parë, me numrin më të madh të testeve raketore të kryera ndonjëherë, dhe madje duke shkelur hapësirën ajrore të Seulit për herë të parë në 5 vitet e fundit.
Natyrisht, Koreja e Jugut është kundërpërgjigjur me militarizimin e mëtejshëm të vendit dhe një garë të brendshme armatimesh. Sipas analistëve të “19FortyFive”, marrëdhëniet midis dy vendeve dominohen nga padurimi.
Nga njëra anë, Pheniani do që të merret seriozisht nga bota, e cila e konsideron ende si një “shtet mashtrues”. Ndërsa Seuli nuk dëshiron më ta shohë veten të shtypur nga një lloj ‘vëllai më i vogël’, i cili nuk mund të konkurrojë me zhvillimin dhe pasurinë e tij.
Tensionet të vjetra, por të kufizuara nga Lufta e Ftohtë dhe rendi liberal ndërkombëtar që e zëvendësoi bipolaritetin e kohës. Por me transformimin e kësaj të fundit, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, Pheniani mund të mendojë ta shfrytëzojë rastin për t’i pasur duart e lira, dhe Seuli mund të humbiste lehtësisht durimin me fqinjin e tij autoritar.
Nëse do të shpërthente një luftë midis dy vendeve, shumë shpejt ajo do të bëhej shumë më shkatërruese sesa ajo në Ukrainë. Dhe nuk është e sigurt që Pheniani të mos jetë aq i çmendur sa të përdorë pajisje bërthamore, nëse i ka vërtet ato.
Kina dhe India
Në kufijtë në lartësitë e mëdha të Himalajeve vazhdon përplasja mes Kinës dhe Indisë. Edhe pse të dyja fuqitë tani për tani po “luajnë luftash”, duke dërguar ushtarë të armatosur vetëm me shkopinj druri dhe gurë për të luftuar njëri-tjetrin, për të kontrolluar pjesë të vogla të territorit malor, asnjëra nga të dyja nuk ka pranuar të tërhiqet nga kufiri.
Luftimet janë të kufizuara, por dëshira për të mbrojtur prestigjin kombëtar, do ta bënte të vështirë një tërheqje të njëanshme për secilin nga shtetet. Tani për tani, as presidenti indian Nerendra Modi dhe as udhëheqësi kinez Xi Jinping nuk kanë arritur që të gjejnë një zgjidhje për konfliktin. Dhe duke qenë se pritet që ata të jenë edhe për shumë vite në qeveri, ky mund të jetë një problem. Nëse indianët ose kinezët vendosin që ta zgjidhin çështjen me përshkallëzim, do të jetë e vështirë të shmanget shkaktimi i një konflikti shumë më të madh dhe më shkatërrues.