Rama-Meloni: 36 mijë emigrantë nga Afrika pritet të strehohen në Shqipëri

0

Nën shenjën e një bashkëpunimi që ka rrënjët e saj të vendosura gjatë vizitës verore të kryeministres italiane Giorgia Meloni në Shqipëri, marrëveshja e sotme e firmosur në Romë ndërmjet zyrtarëve të lartë të të dy vendeve, shënon një kapitull të ri në menaxhimin e emigracionit në rajon.

Sipas kësaj marrëveshje të detajuar sot në “Palazzo Chigi”, Porti i Shëngjinit do të funksionojë si një korridor hyrës për emigrantët e paligjshëm që kërkojnë të kaluarën drejt Europës përmes Italisë, pjesë e një skeme të gjerë për menaxhimin e lëvizjeve migratore.

Detajet e kësaj skeme janë ndarë nga TgCom, i cili thekson se dy qendra të reja të menaxhimit të emigrantëve do të ndërtohen në territorin shqiptar, të afta të përballojnë një fluks vjetor prej 36 mijë individësh kur të jenë të plotëfunksionshme.

Giorgia Meloni ka theksuar në konferencën për media se këto qendra nuk do të mirëpresin kategori të caktuara si “fëmijë të mitur, gra shtatzëna dhe njerëz në situata vulnerabliteti”.

Duke iu referuar bisedave të 15 gushtit si një takim festiv dhe joformal, burime të La Stampa bëjnë me dije se marrëveshja, e cila tashmë është zyrtarizuar, pritet të hyjë në fuqi nga pranvera e vitit 2024.

Cilat janë dinamikat e dy qendrave të përcaktuara?

Memorandumi që përcakton bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë synon të adresojë jo vetëm situatat e emigrantëve që arrijnë direkt në bregdetin italian, por edhe atyre që shpëtohen në det nga flota italiane, si ato të Marinës dhe Guardia di Finanza, dhe jo nga anijet e OJQ-ve.

Në Shëngjin, Italia do të marrë në dorëzim procedurat e zbarkimit dhe të identifikimit, duke krijuar një qendër paraprake për pritjen dhe kontrollet e para, ndërsa një qendër më e avancuar dhe e specializuar pritet të ndërtohet në Gjadër.

“Ajo që ndodh në port do të fokusohet tek procedurat fillestare të zbarkimit dhe identifikimit, kurse struktura që do të ngrihet në zonën e brendshme do të operojë si një qendër model CPR,” shprehet kryeministrja Meloni.

Dy qendrat janë projektuar të akomodojnë deri në 3 mijë persona në një moment, të cilët do të qëndrojnë aty për një periudhë të mjaftueshme kohore për të përfunduar procedurat e azilit, të cilat Italia ka synim t’i shkurtërzojë në 28 ditë.

Objektivat e shpallura nga Meloni për këtë marrëveshje janë të qartë: “Të luftohet trafiku i qenieve njerëzore, të parandalohet migrimi i parregullt dhe të ofrohet mirëseardhje vetëm atyre që kanë me të vërtetë të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare”.

Artikulli i mëparshëmVetëvritet biznesmeni i njohur Lulzim Kryeziu, pronari i “Shell Kosova”
Artikulli i radhësAnalizë/ Refuzimi i komisioneve hetimore që transformuan kuvendin në arenë boksi