Reagon MSH: Nuk ka rënë zjarr, pati një incident me një punonjëse, e cila u ndëshkua

0
Msh

Ministria e Shëndetësisë reagon menjëherë pasi Partia Demokratike publikoi një email zyrtar të këtij institucioni, që konfirmonte rënien e zjarrit në zyrën e prokurimeve.

MSH mohon sërish që të ketë rënë zjarr në institucion, duke i cilësuar akuzat e PD si qesharake, ndërsa thekson se emaili i është drejtuar stafit të ministrisë, pas një ncidenti të shkaktuar nga një punonjëse, ndaj të cilës më pas është marrë masë administrative.

Reagimi i MSH:

Në përgjigje të akuzave të Partisë Demokratike, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sqaron se nuk ka rënë zjarr në institucion. “Zbulimi” i bërë sot nga PD i referohet një emaili “tërheqje vëmendje” të para 26 ditëve, nga përgjegjësja për sigurinë në ministri, e cila i është drejtuar stafit pas një incidenti të shkaktuar nga një punonjëse, ndaj të cilës më pas është marrë masë administrative.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hedh poshtë aludimet dhe shpifjet e PD, që kërkon të manipulojë opinionin me histori djegie letrash në korridore, kur e di i madh e i vogël se çdo dokument zyrtar ruhet në Protokollin e Ministrisë dhe të çdo institucioni. Duke bërë publik këtë email, i cili dërgohet rëndom nëpër institucione për t’u tërhequr vëmendjen punonjësve, PD ka demonstruar edhe një herë se protokollet e sigurisë dhe masat disiplinore në MSHMS, funksionojnë më së miri.

Sikundër e kemi deklaruar që në krye të herës, Ministria e Shëndetësisë është e hapur për çdo hetim nga organet e drejtësisë. Njëkohësisht, i bëjmë në mënyrë të përsëritur thirrje PD që të ndalë fushatën e shpifjeve dhe të presë me durim fjalën e drejtësisë!

Artikulli i mëparshëmPandemia bllokon Gjykatat, Manchester City ka frikë për ankimimin në CAS
Artikulli i radhësVasili publikon mesazhin e qytetarit: Është fakt, 5 shqiptarë rezultuan pozitivë me koronavirus që në janar