Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, u dënua sot me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit në Tiranë. Trupi gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë, Genti Shala, Elona Toro dhe Iliba Bezati, la në fuqi vendimin e shkallës së parë, sipas të cilit Salianji u shpall fajtor për shpifje lidhur me denoncimin e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në vitin 2018.
Denoncimi i Salianjit përfshinte publikimin e një përgjimi që pretendonte përfshirjen e Agron Xhafajt, vëllait të ministrit, në trafik droge. Ky përgjim, i realizuar nga gazetari Jetmir Olldashi dhe ish-skafisti Albert Veliu (i njohur si “Babalja”), pretendonte se Agron Xhafaj vazhdonte aktivitetin kriminal ndërkohë që i vëllai ishte ministër i Brendshëm. Gazetari Olldashi u dënua gjithashtu me 6 muaj shërbim prove për rolin e tij në këtë çështje.
Që nga publikimi i përgjimit në vitin 2018, ngjarja është shoqëruar me shumë polemika, ndërkohë që pas skandalit u fabrikua një dëshmitar i rremë, Fredi Alizoti, që u përdor për të manipuluar provat kundër Salianjit.