Kthimi i katër emigrantëve në Itali pas mbërritjes në Shëngjin: Identifikimi i dy të miturve nxjerr në pah dështimet e procedurave

0

Katër nga 16 emigrantët që mbërritën mëngjesin e kësaj të mërkure në portin e Shëngjinit do të dërgohen përsëri në Itali. Sipas gazetës italiane “La Repubblica”, dy prej tyre janë minorenë, 16-vjeçarë nga Bangladeshi, ndërsa dy të tjerë ndodhen në një gjendje të rënduar shëndetësore.

Pas një dite të kaluar në qendrën e pritjes në Shqipëri, të miturit u shoqëruan nga një skaf i Guardia di Finanza për t’u rikthyer në anijen “Libra” të marinës italiane. Identifikimi i tyre u bë i mundur nga ekipet e UNHCR-së, të cilat po monitorojnë procesin e zhvilluar në këto qendra. Gjatë intervistave me ekipet e monitorimit, të miturit deklaruan se ishin vetëm 16 vjeç dhe se udhëtimin e kishin bërë të vetëm.

“Ky është një konfirmim i absurditetit të masave që kjo qeveri ka zgjedhur të zbatojë, pavarësisht faktit se identifikimi i emigrantëve në det është i paligjshëm dhe shkel normat ndërkombëtare dhe kushtetuese,” – shkroi kreu i së majtës italiane, Nicola Fratoianni.

“Nuk kemi të bëjmë vetëm me një mekanizëm të shpërdorimit të parave, por tashmë shfaqen probleme të dukshme. Nëse nuk ishin në gjendje të identifikonin dy të miturit nga vetëm 16 emigrantë, çfarë do të ndodhë kur të mbërrijnë qindra emigrantë të tjerë?” – shkruan Angelo Bonelli nga partia e të Gjelbërve.

Prania e dy të miturve në mesin e emigrantëve të dërguar në qendrat e pritjes në Shqipëri është një sinjal shqetësues, sipas Riccardo Magi, sekretarit të partisë “+Europa”. Ai theksoi se kjo situatë tregon paqëndrueshmërinë e procedurave që dështuan që në testin e parë me një numër shumë të vogël njerëzish.

“Përzgjedhja arbitrare e emigrantëve në det nuk mjaftoi për t’i shpëtuar përgjegjësisë për t’i pritur ata në Itali. Edhe dy të mitur u futën në mes të këtij procesi, duke shkelur të drejtat e tyre,” – akuzoi organizata joqeveritare italiane “SeaWatch” në rrjetin X. Kjo organizatë ka qenë shpeshherë në qendër të kritikave të kryeministres Giorgia Meloni për çështjen e emigracionit.

Artikulli i mëparshëmMbërrijnë në Shëngjin emigrantët e parë pas marrëveshjes me Italinë
Artikulli i radhësDorëzohen në polici motrat Berisha, të akuzuara për dhunën ndaj Klea Prengës