Motrat Antonela dhe Marinela Berisha, të cilat ishin shpallur në kërkim për sulmin ndaj Klea Prengës, janë dorëzuar në Policinë e Tiranës.
Sipas raportimeve, motrat Berisha kishin qëndruar për një periudhë në Dubai, duke reaguar në disa raste mbi ngjarjen e rëndë të dhunës. Më në fund, ato janë dorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 6 gushtit 2024, kur Klea Prenga u sulmua brutalisht nga motrat Berisha teksa po darkonte në një restorant në Tiranë. Ato e goditën me sende të forta, përfshirë shishe qelqi, duke i shkaktuar dëmtime të mëdha dhe çarje në fytyrë.
Antonela dhe Marinela Berisha akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim, dhe përballen me dënim deri në 10 vjet burg. Mendohet se arsyeja e sulmit ishte lidhja e Klea Prengës me ish-të dashurin e Marinela Berishës.