Gazetarja Anila Hoxha ka zbuluar detaje të reja për ngjarjen e rëndë që tronditi Dobraçin më 30 tetor 2024, ku humbën jetën Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i bashkëshortëve Flutura dhe Bashkim Basha.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, personi i veshur me të zeza që shfaqet në videon e atentatit dyshohet të jetë Ibrahim Lici, një nga personat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare. Megjithëse policia ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare, burimet pranë hetimit pranojnë se i dyshuari është Lici.
Ekziston dyshimi se Lici mund të jetë plagosur gjatë atentatit dhe është mjekuar në jug të vendit. Ky informacion është verifikuar përmes vëzhgimeve dhe përgjimeve të klasifikuara, ndërsa autoritetet po hetojnë për të zbuluar identitetin e personave që mund ta kenë ndihmuar.
Hoxha zbulon gjithashtu se prokuroria është shumë pranë identifikimit të një personi të tretë, i cili konsiderohet si ndihmës në atentat. Ajo ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si Ibrahim Lici ka arritur të lëvizë lirshëm në Shqipëri, duke vënë në dyshim efektivitetin e strukturave të sigurisë.
“Kjo ngjarje tregon se grupet kriminale janë shpesh më të informuara se vetë institucionet. Ndërsa hetimet vazhdojnë, është e qartë se ky krim i sofistikuar ka lënë gjurmë, dhe shumë shpejt pritet të identifikohen përgjegjësit,” shtoi gazetarja.