Mafia e mikrokredive, e zbuluar së fundmi, përbën një nga skandalet më të mëdha të mashtrimit financiar në Shqipëri. Por si u krijua dhe funksionoi ky rrjet kriminal që ka zhvatur qytetarët në mënyrë sistematike? Përkundër bandave kriminale që operojnë në ilegalitet, këto kompani mikrokredie kanë vepruar në dritë të diellit, me aktivitet të licencuar dhe të raportuar pranë institucioneve shtetërore si Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Drejtësisë.
Themelimi i skemës mashtruese
Më datë 28 maj 2014, u krijua shoqëria ‘Micro Credit Albania’ (MCA), me objekt të veprimtarisë: dhënien e kredive, ofrimin e shërbimeve këshilluese dhe ndërmjetësimin për kredi. Fillimisht, administratore dhe ortakja e vetme ishte shtetasja Elda Ibro, por më vonë administrimi i kaloi Alban Kote dhe më pas Andis Gjoka. Kapitali fillestar i shoqërisë ishte 20 milionë lekë, por brenda një viti kapitali u zmadhua në 102 milionë lekë përmes transaksioneve që dyshohet se përfshinin dokumente fiktive.
Një prej këtyre transaksioneve është shitja e një pasurie të paluajtshme në vlerën 35 milionë lekë nga Elda Ibro te Arben Meskuti, e cila më vonë rezulton të jetë fiktive pasi apartamenti iu shit sërish çiftit Ibro në të njëjtën vlerë. Gjithashtu, vetë Meskuti nuk kishte të ardhura të ligjshme të mjaftueshme për të justifikuar këtë blerje.
Rrjeti kriminal dhe veprimet e dyshimta
Në vitin 2015, MCA licencohet si institucion financiar për mikro-kredi me një limit deri në 600,000 lekë. Një vit më vonë, licenca zgjerohet për të përfshirë të gjitha format e kredidhënies. Ndërkohë, kompania fillon të blejë portofola të borxheve të këqija nga bankat e nivelit të dytë. Ky proces përfshinte blerjen e detyrimeve të kredimarrësve në vonesë me kosto të ulët (1%-23% e borxhit total) dhe më pas aplikimin e gjobave dhe interesave të fryrë ndaj debitorëve.
Më datë 04 gusht 2015, krijohet ‘Shërbimi Përmbarimor FS’, një kompani e lidhur me Meskutin dhe të administruar nga ish-punonjësit e tij. E njëjta skemë aplikohet edhe për kompani të tjera si ‘Flash’, e cila, pas pezullimit të aktivitetit, kalon në pronësi të familjarëve të Meskutit. Këto shoqëri përmbarimore bashkëpunonin me MCA për të kryer sekuestrime të paligjshme të pasurive të debitorëve pa njoftime paraprake apo dokumentacion ligjor.
Fushata e presionit dhe zhvatjes
Shoqëritë përmbarimore dhe financiare bashkëpunonin ngushtë për të detyruar debitorët të pranonin kushte të padrejta. Debitorët ballafaqoheshin me dy mundësi: të merrnin kredi të reja nga MCA për të shlyer borxhet, ose të përballeshin me sekuestrime të menjëhershme të pasurive. Të gjitha dokumentet dhe të dhënat e këtyre transaksioneve ruheshin në një sistem të përbashkët të aksesueshëm nga të gjitha kompanitë e rrjetit.
Hetimet dhe përgjegjësitë shtetërore
Pavarësisht skemës së qartë të mashtrimit, Banka e Shqipërisë dhe institucionet e tjera përgjegjëse kanë lejuar vazhdimësinë e aktivitetit të këtyre shoqërive. Në vitin 2019, Banka e Shqipërisë miratoi transferimin e pronësisë së shoqërisë ‘Final’ nga një kompani e huaj tek Meskuti, edhe pse kishte prova të qarta për aktivitetin kriminal të mëparshëm.
Sipas hetimeve, vetëm në periudhën 2019-2020, mbi 8,000 klientë të MCA dhe ‘Final’ kanë paguar shuma të mëdha, ndërsa borxhet totale të akorduara nga MCA kanë arritur në mbi 99 milionë lekë.
Skema e mafies së mikrokredive është një dëshmi e dështimit të institucioneve shtetërore për të mbrojtur qytetarët nga mashtrimet financiare. Në vend të ndalimit të aktiviteteve kriminale, këto institucione duket se kanë lehtësuar vazhdimësinë e tyre, duke i kthyer viktimat në pre të një zhvatjeje sistematike dhe të pamëshirshme./Syri