Në një akt të paprecedent dhe të mbuluar nga mungesa e transparencës, presidenti Bajram Begaj ka firmosur në fshehtësi dy dekrete që ndryshojnë statusin e ishullit të Sazanit, duke i hapur rrugë projekteve të investimit privat nga Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike (KIS), që miraton nisjen e negociatave për ndërtimin e një resorti luksoz në ishull, dokumentacioni përfshin dy dekrete presidenciale. Dekreti i parë, Nr. 8593, i qershorit 2024, dhe ai i dytë, Nr. 398, i dhjetorit të po atij viti, kanë nxjerrë zonën “Rajon stërvitje dhe qitje detare Sazan” nga Plani i Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura.
Veprimet e mbuluara me mister
Veprimet e Begajt kanë ngjallur dyshime të forta për mungesën e transparencës. Pavarësisht rëndësisë strategjike të Sazanit, asnjë nga këto dekrete nuk është bërë publik, duke ngritur pyetje mbi qëllimet dhe përfitimet reale të këtij projekti.
Shqetësimet thellohen kur merret parasysh fakti që ky investim prej 1.5 miliardë dollarësh për ndërtimin e një resorti elitar po zhvillohet larg syve të publikut, ndërkohë që qeveria e kryeministrit Edi Rama kritikohet për mungesën e transparencës dhe përfitimet potencialisht të njëanshme.
Një akt që nxjerr në pah dobësinë institucionale
Ky zhvillim tregon qartë dobësinë institucionale dhe mungesën e kontrollit mbi vendime strategjike të një rëndësie kombëtare. Nëse një vendim kaq madhor merret në fshehtësi, çfarë garancish ka që përfitimet do t’i shkojnë qytetarëve shqiptarë dhe jo vetëm disa individëve të lidhur me pushtetin?
Ky skandal hedh dritë mbi një praktikë të përsëritur të kalimit të pasurive kombëtare në duar private pa një vlerësim të plotë të interesit publik. Tashmë mbetet për t’u parë nëse ky projekt do të sjellë vërtet përfitime për Shqipërinë apo do të shërbejë thjesht si një tjetër shembull i privatizimit të burimeve kombëtare në emër të interesave personale.
FAQJA KRYESORE POLITIKË Kostoja e një presidenti anonim dhe qesharak: Bajrami firmos në fshehtësi dekretet...