
Pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duket se Edi Rama ka marrë kontrollin e plotë të administratës bashkiake, duke shfaqur hapur qëllimin për të udhëhequr kryeqytetin përmes strukturave të tij politike.
Në një takim me punonjësit e Bashkisë së Tiranës, kryeministri jo vetëm që prezantoi punët e tij të dikurshme si ish-kryebashkiak, por la të kuptohet se ai është figura kryesore që do të orientojë vendimmarrjen në institucionin e mbetur pa drejtues.
Rama rikthehet në Bashkinë e Tiranës
Nënkryetarja e bashkisë, Anuela Ristani, e cila hapi takimin, e përshëndeti Ramën duke i uruar “rikthim të mbarë në skuadrën e Tironës”, duke nënkuptuar një rol më aktiv të kryeministrit në drejtimin e qytetit. Ajo theksoi se bashkia nuk do të dorëzohet dhe se administrata do të vazhdojë të funksionojë sipas udhëzimeve të tij.
Për Ramën, ky veprim përforcon imazhin e tij si lider që nuk lë pas “asnjë front të pambuluar”, por njëkohësisht ngre shqetësime të mëdha për kapjen politike të institucioneve vendore nga qeveria qendrore.
A është ky një uzurpim i pushtetit lokal?
Për shumë analistë, ky zhvillim tregon sesi Partia Socialiste po përpiqet të mbajë kontrollin e Tiranës, pavarësisht krizës politike të krijuar nga arrestimi i Veliajt. Ligjërisht, bashkia duhet të drejtohet nga një ushtrues detyre ose të zhvillohen zgjedhje të parakohshme për një kryetar të ri. Megjithatë, Rama ka zgjedhur një rrugë tjetër, duke e vendosur veten në krye të punëve të qytetit.
Ky veprim ngre pikëpyetje të mëdha mbi ndarjen e pushteteve dhe respektimin e autonomisë lokale. Nëse Rama vijon të marrë vendime në emër të Bashkisë së Tiranës, kjo mund të përbëjë një precedent të rrezikshëm për qeverisjen lokale në Shqipëri.