
Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka nisur sot me praninë e rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku. Në fjalën e tij, Sallaku u shpreh se lajmin për 24 masat e sigurisë të lëshuara ndaj stafit dhe administratës së universitetit e mori vesh nga mediat.
Ai theksoi se nuk komenton vendimet e drejtësisë dhe shpreson që procesi të jetë i ndershëm. “Nuk mbroj askënd që mund të ketë abuzuar,” deklaroi ai, duke shtuar se çdo pedagog i përfshirë në hetim duhet të pastrojë emrin e tij.
SPAK ka ndërmarrë një aksion të gjerë kundër korrupsionit në UBT, duke arrestuar disa zyrtarë dhe duke vendosur masa sigurie për të tjerë. Ky operacion ka sjellë reagime të forta politike, ndërsa grupi parlamentar i PS-së po shqyrton situatën në takimin e sotëm.