Valentina Trifiletti, bashkëshortja e gazetarit të “Corriere della Sera”, Fabio Postiglione, i cili humbi jetën në një aksident tragjik, ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke kujtuar partnerin e saj me fjalë të mbushura me dhimbje dhe dashuri.
“Nuk jam në gjendje të them apo të shkruaj diçka ndryshe nga ajo që kanë bërë miqtë dhe kolegët tanë këto ditë dhimbjeje të thellë. Ajo që kam lexuar dhe dëgjuar për ty është e gjitha e vërtetë,” shkroi ajo në Facebook.
Ajo përshkruan Fabio-n si një gazetar me një talent të jashtëzakonshëm, me një pasion të madh për punën e tij dhe një dedikim të rrallë për të vërtetën. “Ishte një spektakël të shihje evolucionin tënd. Nuk kishe zili për askënd, por përkundrazi i mbështesje të tjerët, duke nxitur talentin e tyre,” theksoi Trifiletti.
Në mesazhin e saj, ajo rrëfen dhimbjen e madhe të humbjes së njeriut që kishte zgjedhur për jetën: “Nuk do ta kishim lënë kurrë njëri-tjetrin. Të dy ishim të sigurt për këtë dhe i thamë njëri-tjetrit. Kam humbur dashurinë time, mësuesin tim, shokun tim më të mirë. Kam humbur gjithçka.”
Postimi i saj ka prekur mijëra ndjekës, ndërsa kolegët dhe miqtë e Fabio Postiglione kanë shprehur ngushëllimet e tyre për humbjen e tij të parakohshme.
Gazetari ishte i njohur për raportimet e tij të guximshme mbi Kamorrën dhe krimin e organizuar në Itali, si dhe për pasionin e tij për sportin dhe futbollin, veçanërisht Napolin.
Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka tronditur komunitetin mediatik, ndërsa familja, miqtë dhe kolegët vazhdojnë të mbajnë zi për humbjen e tij të rëndë.