
Njësitë e qeverisjes vendore në Shqipëri vijojnë të përballen me paaftësi kronike për të zbatuar programin e investimeve publike. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave për vitin 2024 tregojnë se bashkitë kanë arritur të realizojnë vetëm 43% të investimeve të planifikuara, duke “djegur” mbi gjysmën e fondeve të dedikuara.
Nga 46.3 miliardë lekë të planifikuara, u investuan vetëm 19.9 miliardë lekë. Bashkia e Tiranës, e cila kishte fondin më të madh, me 18 miliardë lekë, realizoi vetëm 6.1 miliardë lekë ose 34% të buxhetit të investimeve. E njëjta situatë u përsërit edhe në Durrës (realizim 50%) dhe Vlorë, që shënoi nivelin më të ulët me vetëm 17% realizim.
Në kontrast, bashkia e Kukësit, ndonëse me fondin më të vogël prej 149 milionë lekësh, arriti të realizojë 89% të programit, ndërsa Kamza dhe Lezha patën realizim respektivisht 75% dhe 80%.
Raporti tregon se përveç mungesës së fondeve, bashkitë vuajnë edhe nga mungesa e kapaciteteve teknike dhe burimeve njerëzore të afta për të hartuar projekte konkurruese. Shumë prej tyre nuk arrijnë të përfitojnë fonde për shkak të paaftësisë administrative dhe burokracive të brendshme.
Në kushte kur popullsia plaket dhe nevojat për shërbime sociale shtohen, raporti vëren se shumica e bashkive nuk kanë kapacitete për kujdes ndaj të moshuarve, nuk ofrojnë shtëpi sociale dhe kanë mungesa të theksuara në menaxhimin e mbetjeve dhe ujësjellësit, veçanërisht në zonat rurale.