
Partia Demokratike ka reaguar pas lajmeve mbi kontratën e re lobuese në Shtetet e Bashkuara, duke sqaruar se pagesa prej afro 6 milionë dollarësh ndaj një kompanie amerikane është mbuluar tërësisht nga kontribuues shqiptarë në emigracion.
Në një deklaratë për shtyp, PD sqaroi se Fondacioni Shqiptaro Amerikan, përmes organizatës “Make Albania Great Again”, ka angazhuar kompaninë “Continental”, e drejtuar nga ambasadori Carlos Trujillo, një nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump, për të përforcuar marrëdhëniet e Partisë Demokratike me Kongresin dhe qeverinë amerikane.
“Kontributi financiar për këtë lobim është marrë përsipër 100% nga patriotë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në SHBA, si dhe nga demokratë të larguar prej vitesh,” thuhet në deklaratë.
Sipas mediave amerikane dhe shqiptare, marrëveshja e re financiare synon të konsolidojë pozitat e Partisë Demokratike si forca më e madhe opozitare në Shqipëri, në një kohë kur marrëdhëniet ndërkombëtare mbeten një prioritet elektoral i forcave politike në prag të zgjedhjeve të 11 majit.