
Pushimet në Maldive, që për Christian Vierin dhe familjen e tij ishin kthyer në një traditë të dashur, këtë vit morën një kthesë të papritur dhe dramatike. Ish-sulmuesi i njohur i kombëtares italiane, sot 51 vjeç, u detyrua të përfundonte në spital, i shtrirë në krevat dhe me maskë oksigjeni.
Vieri ndodhej në Maldive së bashku me bashkëshorten, Costanza Caracciolo, dhe dy vajzat e tyre të vogla. Përmes rrjeteve sociale, ai ndau disa video dhe foto ku tregohej i shtrirë në spital, duke shpjeguar se gjendja e tij kishte nisur të përkeqësohej para nisjes.
“Kisha kollë dhe dhimbje në eshtra. Mendova se do më kalonte me ndonjë ilaç kundër dhimbjes,” tregoi ai. Por, pavarësisht pushimeve nën diellin tropikal, simptomat vetëm sa u rënduan.
Vizita te mjeku lokal konfirmoi një problematikë në mushkëri, ku krahu i djathtë i mushkërive fishkëllinte lehtë. Mjeku i rekomandoi antibiotikë, por për tri ditë gjendja e Vierit nuk u përmirësua.
“Pushimet përfunduan shpejt. Det vetëm një ose dy ditë. Tani, kthim në shtëpi dhe vizitë te mjeku në Milano,” tha Vieri.
Edhe bashkëshortja e tij, Costanza Caracciolo, ndau momente nga pushimet, duke treguar se ndërsa fëmijët e shijuan për pak ditë parajsën e Maldiveve, Vieri e kaloi pjesën më të madhe të kohës në shtrat.
Në kthim në Itali, ish-ylli i futbollit pritet t’i nënshtrohet kontrolleve më të thelluara mjekësore për të kuptuar saktësisht shkaqet e problemeve të tij pulmonare.