PD Akuzon Ashpër Ervin Hoxhën: Ministri I Brendshëm I Përfshirë Në Skemë Korrupsioni Me Fondet Publike

0

Partia Demokratike ka hedhur akuza të rënda ndaj Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, duke e akuzuar për përfshirje në aktivitete korruptive dhe për shfrytëzimin e postit të tij për përfitime personale.

Në një deklaratë për mediat, Genta Vangjeli, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, theksoi se Hoxha nuk është ndryshe nga paraardhësit e tij që sot ndodhen në burg ose nën hetim, duke vënë në dukje se ai ka përdorur lidhjet familjare për të përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme.

Sipas Vangjelit, në qendër të aferës qëndron kompania “Veba 45” shpk, në pronësi të nënës së ministrit dhe e administruar nga vëllai i tij, Darling Hoxha, aktualisht drejtor në OSSH Tiranë. Kjo kompani ka përfituar fonde publike nga institucione shtetërore, përfshirë ato ku vetë Ervin Hoxha ka ushtruar funksione shtetërore, në shkelje flagrante të ligjit për konfliktin e interesit.

Skandali thellohet edhe më tej: lavazhi i familjes Hoxha pranë Hotel “Rogner” dyshohet se ka përfituar fonde përmes tenderëve të manipuluar. Faturat deri në 10 mijë euro për larje makinash, të denoncuara nga opozita, tregojnë se paratë publike përfundonin në biznesin privat të familjes së ministrit.

“Ministri nuk është futur ende në listën e të arrestuarve, por shembulli i tij është një reflektim i qartë i rilindjes së korrupsionit në qeveri,” deklaroi Vangjeli.

PD i ka bërë thirrje SPAK-ut që të nisë menjëherë hetimet për këtë aferë, duke theksuar se askush, sado i pushtetshëm, nuk duhet të mbetet mbi ligjin.

“Ky është modeli i rilindjes së korrupsionit: nga qeveritarët e deri te lavazhet pranë zyrave qeveritare, çdo centimetër i këtij vendi po zhvatet,” përfundoi Vangjeli.


Artikulli i mëparshëmPushimet Në Maldive Përfunduan Në Spital Për Christian Vierin
Artikulli i radhës“Më Futën Në Mes Dhe Bënë Akte Të Turpshme Me Mua” – Burri Shokon Policinë E Dibrës, Por E Vërteta Tronditëse Del Në Dritë