Operacion “Top Sekret” Në Ksamil: Policia Në Ndjekje Të Personave Me Rrezikshmëri Të Lartë

0

Prej orëve të vona të mbrëmjes së së hënës, forca të shumta policore kanë mësyrë Ksamilin, në kuadër të një operacioni të koduar “Top Sekret”. Në këtë aksion të gjerë janë angazhuar forcat operacionale, njësia speciale FNSH dhe policia e Sarandës, të cilat po veprojnë në mënyrë të koordinuar për të kapur persona të dyshuar me rrezikshmëri të lartë.

Burime të sigurta bëjnë me dije se policia është në ndjekje të disa individëve të kërkuar, të cilët deri më tani nuk janë lokalizuar. Dy furgonë të mbushur me efektivë të FNSH-së janë vendosur në aksin Ksamil-Butrint dhe po kryejnë kontrolle intensive në çdo zonë.

Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytezës, ku efektivët e njësisë “Shqiponja” po monitorojnë qarkullimin dhe verifikojnë çdo automjet dhe qytetar të dyshimtë. Operacioni pritet të shtrihet deri në kufirin shqiptaro-grek, në territorin e Bashkisë së Konispolit, me qëllim mbylljen e çdo rruge të mundshme arratisjeje.

Ndërkohë, agjentë civilë të infiltruar kanë nisur që prej paradites së sotme kontrollin e imazheve të kamerave të sigurisë në biznese lokale, në përpjekje për të lokalizuar personat e dyshuar. Dyshimet paraprake flasin për një përplasje të armatosur mes policisë dhe autorëve të dyshuar, çka ka sjellë dhe nevojën për përforcime të menjëhershme me trupa shtesë.

Operacioni Top Sekret është një ndër ndërhyrjet më të mëdha të muajve të fundit në jug të vendit, duke shënuar një nivel të ri mobilizimi të strukturave të rendit për të goditur aktivitetet kriminale në një zonë shumë të frekuentuar siç është Ksamilit.

Autoritetet policore kanë bërë të ditur se kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje dhe kanë paralajmëruar se askush që është në shkelje të ligjit nuk do të mund të largohet pa u përballur me drejtësinë. Operacioni mbetet në zhvillim dhe priten zhvillime të reja në orët në vazhdim.

Policia u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë, duke sinjalizuar praninë e çdo personi të dyshimtë apo çdo aktivitet të paligjshëm që mund të ndihmojë në finalizimin me sukses të aksionit.

Artikulli i mëparshëmTronditëse Në Korçë: Inskenuan Vetëvrasjen Me Çarçaf, Zbulohet Pas 7 Vitesh Krimi I Rëndë
Artikulli i radhësGazment Bardhi Ironizon PS: Krushq Me Autobusë Nga Tirana Në Takimet Elektorale Në Fier