
Sali Berisha ka folur për herë të parë në lidhje me kontratën e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vlerë 6 milionë dollarë, që ka për qëllim çështjen e shpalljes së tij non grata dhe rikuperimin e marrëdhënieve me SHBA-në.
“Kontrata është publikuar plotësisht,” u shpreh Berisha në një konferencë për mediat. “Është për qëllimet dhe kauzat e drejta të Partisë Demokratike. Por në të vërtetë, kjo nuk është vetëm një kontratë për PD-në. Është një kontratë për çdo shqiptar, sepse McGonigal do ta marrë me vete Ramën.”
Më herët, Berisha kishte kërkuar nga demokratët të mos flisnin publikisht për këtë kontratë. I pyetur për këtë qëndrim, ai tha:
“Nuk ka pasur asnjë urdhër për të heshtur. E vërteta e kësaj kontrate i ka djegur shumë Ramës dhe aleatëve të tij të paguar, zyrtarëve të krimit. Përkundrazi, unë do të doja që kjo të përsëritej. Por nuk më pëlqen që kjo çështje të zërë hapësirën mediatike të programit që kam për qytetarët.”
I pyetur se pse nuk e kishte bërë publike më herët këtë kontratë, Berisha sqaroi:
“Sepse nuk është një kontratë e PD-së. Ajo është firmosur nga fondacioni. Flamur Noka ka firmosur që pranon shërbimin.”
Deklarata e Berishës vjen në një moment kur kontrata e lobimit ka krijuar debat të ashpër në skenën politike shqiptare, me mazhorancën që akuzon PD-në për përpjekje për të ndikuar në qëndrimet ndërkombëtare përmes fondeve të dyshimta.
Ndërkohë që opozita e sheh këtë si një përpjekje për të kthyer besimin ndërkombëtar dhe për të denoncuar, sipas tyre, manipulimin politik të shpalljes non grata.
Zhvillimi i kontratës është bërë publik fillimisht në SHBA dhe më pas në media shqiptare, çka ka shtuar presionin mbi opozitën për të dhënë sqarime.
Berisha e mbylli deklaratën e tij duke theksuar se “opozita nuk është më jetime” dhe se “Rama nuk ka program, vetëm propagandë.”