
Drejtuesi politik i PS në Elbasan, Arbjan Mazniku, në një intervistë në emisionin “Çdo kënd” të Merita Haklajt në A2 CNN, deklaroi se Partia Socialiste do të arrijë një rezultat të fortë në zgjedhjet e 11 majit, duke tejkaluar 78 mandate në rang kombëtar.
Në qarkun e Elbasanit, ku ndodhi një betejë e ngushtë në zgjedhjet e fundit, Mazniku shprehu bindjen se PS do të sigurojë 9 deputetë, me mundësi që të shkojë edhe përtej këtij numri.
“Partia Socialiste në Elbasan do të marrë më shumë se 9 mandate. Kësaj radhe PS do të marrë 9 mandate, por ndoshta më shumë”, u shpreh Mazniku.
Duke folur për objektivin në të gjithë vendin, ai tha:
“PS do të marrë më shumë se 78 mandate. Mund t’ju them se synojmë shumicën e cilësuar, që është 84. Por minimumi do të jetë mbi 78.”
Deklarata e Maznikut vjen në një moment kur sondazhet parashikojnë një garë të ngushtë në disa qarqe, ndërsa partia në pushtet po përpiqet të mbajë kontrollin mbi shumicën në Kuvend.