New York Times: Aleatët E Izraelit Po Humbasin Durimin Me Luftën Në Gaza

0

Pas më shumë se 18 muajsh lufte në Gaza, kritikat ndaj Izraelit nga aleatët perëndimorë janë shndërruar nga paralajmërime të përmbajtura në qortime të drejtpërdrejta dhe masa konkrete diplomatike. Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe vende të tjera që historikisht kanë mbështetur fuqishëm Tel Avivin, po e humbasin durimin përballë vazhdimit të ofensivës ushtarake kundër palestinezëve.

Presidenti Donald Trump bëri thirrje të hapur për ndalimin e luftës, duke theksuar se SHBA po bisedon me Izraelin për ta ndalur menjëherë situatën. Ky ndryshim është një kthesë e fortë nga retorika fillestare e Trump, që e fajësonte Hamasin për konfliktin dhe që qëndronte në linjë të plotë me kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Ndërkohë, Gjermania përmes kancelarit Friedrich Merz, kritikoi ashpër ofensivën izraelite duke ngritur pyetjen për qëllimin e shkaktimit të vuajtjeve të mëdha ndaj civilëve. Italia, përmes ministrit të Jashtëm Tajani, kërkoi ndalimin e bastisjeve dhe shpalljen e një armëpushimi të menjëhershëm.

Britania, Kanadaja dhe Franca, në një deklaratë të përbashkët, e cilësuan ofensivën izraelite si “plotësisht disproporcionale”, duke paralajmëruar sanksione nëse Izraeli nuk ndryshon kurs. Britania ka pezulluar negociatat tregtare dhe ka vendosur sanksione ndaj ekstremistëve izraelitë.

Franca po organizon një konferencë me Arabinë Saudite në qershor për të diskutuar krijimin e një shteti palestinez – një ide që Netanyahu refuzon kategorikisht.

Megjithatë, ndonëse fjalori i liderëve perëndimorë është bërë më kritik, mbështetja praktike për Izraelin vijon, përfshirë ndihmat ushtarake dhe inteligjencën nga SHBA, si dhe ndërhyrjet për të mbrojtur Izraelin nga sulmet iraniane.

Në terren, forcat izraelite kontrollojnë mbi 40% të territorit të Gazës dhe bombardimet vazhdojnë. Megjithëse Izraeli ka lejuar hyrjen e disa ndihmave humanitare, pjesa më e madhe e popullsisë vazhdon të vuajë nga mungesa e ushqimit dhe ilaçeve.

Reagimet e Netanyahut ndaj këtyre kritikave kanë qenë të ashpra: ai ka akuzuar vendet aleate se “po i japin zemër Hamasit” dhe ka paralajmëruar masa të njëanshme nëse presioni diplomatik vazhdon.

Në Izrael, kjo situatë po shihet si një izolim i paprecedent diplomatik, me media izraelite që e cilësojnë deklaratën e përbashkët perëndimore si më të fortën ndonjëherë kundër Izraelit.


Artikulli i mëparshëmSPAK Kontrollon Banesën E Luan Duzhës Pas Zgjedhjeve, Sekuestrohen Para Dhe Telefona
Artikulli i radhësMeta: Do Të Faktoj Që SPAK Lëshon Urdhër-Arreste Fiktive, Hetimi Ndaj Meje Është Farsë Politike