
Pas publikimeve alarmuese në media për mish derri të kontaminuar me salmonelë që dyshohej se ishte shitur fshehurazi në treg, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka dalë me një deklaratë zyrtare për të hedhur poshtë akuzat dhe për të qetësuar opinionin publik.
Në reagimin e saj, AKU sqaron se bëhet fjalë për një sasi prej 4,516.75 kg fileto derri të importuar nga Brazili, që u bllokua menjëherë pas konstatimit të kontaminimit me salmonella spp, në datën 28 janar 2025. Sipas të dhënave zyrtare, kjo sasi qëndroi e bllokuar në magazinat e subjektit importues deri më 16 prill 2025, kur u mor vendimi për asgjësimin e saj në prani të institucioneve përkatëse, përfshirë:
- Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit,
- Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë,
- Drejtoria Rajonale e AKU Tiranë.
AKU thekson qartësisht se nuk ka pasur asnjë rrezik për konsumatorin dhe se asnjë gram nga kjo sasi nuk ka hyrë në qarkullim në tregun ushqimor shqiptar.
Reagimi Zyrtar I AKU
“Shpreh shqetësimin për përhapjen e lajmeve të pavërteta në media dhe portale, të cilat cenojnë besimin e publikut dhe krijojnë panik të pajustifikuar. Sasia prej 4,516.75 kg fileto derri është bllokuar dhe më pas asgjësuar, në përputhje me të gjitha procedurat ligjore,” – thuhet në deklaratën e AKU.
Autoriteti siguron qytetarët se mbetet në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë ushqimore, ndërkohë që i bën thirrje mediave të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi në raportimet që lidhen me shëndetin publik.
Ky reagim vjen në një moment kur Shqipëria është përballur me disa shqetësime për sigurinë ushqimore, përfshirë edhe raste të helmimit të fëmijëve në Gramsh, të lidhura gjithashtu me dyshime për produkte të kontaminuara me salmonelë.
AKU garanton transparencë maksimale dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet, duke ftuar qytetarët të raportojnë çdo rast të dyshimtë për të parandaluar rrezikun ndaj shëndetit të publikut.