
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka dhënë një intervistë për median greke “TA NEA” në prag të vizitës së tij zyrtare në Athinë, ku do të takohet me homologun grek Giorgos Gerapetritis. Në qendër të bisedimeve do të jetë çështja e detit, marrëdhëniet dypalëshe dhe kontributi i votës së emigrantëve shqiptarë në Greqi gjatë zgjedhjeve të fundit.
Hasani konfirmoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të çuar përpara dialogun për delimitimin e kufijve detarë në Hagë, ashtu siç është rënë dakord që prej vitit 2020. Ai theksoi se të gjitha çështjet e pazgjidhura mund të zgjidhen me respekt të ndërsjellë dhe bazuar në të drejtën ndërkombëtare, duke u mbështetur në lidhjet historike dhe afërsinë gjeografike mes dy vendeve.
Sipas Hasanit, Greqia mbetet një partner strategjik për Shqipërinë, duke nënvizuar se dy popujt kanë jetuar krah për krah për shekuj me radhë dhe kjo lidhje duhet të çojë në zgjidhje të qëndrueshme përmes bashkëpunimit dhe dialogut të sinqertë.
Vizita në Athinë, sipas tij, është një mundësi për të forcuar më tej partneritetin, sidomos në fushat e energjisë, tregtisë dhe integrimit në BE. Hasani shprehu mirënjohje për mbështetjen e Athinës ndaj rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe theksoi se ekziston një potencial i madh për thellimin e bashkëpunimit.
I pyetur për shkallën e lartë të mbështetjes elektorale nga emigrantët shqiptarë në Greqi për Edi Ramën në zgjedhjet e 11 majit, Hasani tha se kjo pasqyron besimin e tyre në reformat e qeverisë dhe vizionin për integrimin europian.
Ai shtoi se Shqipëria ndodhet në një moment kyç të procesit të anëtarësimit në BE, me katër grupe negociatore aktive në fushat e sundimit të ligjit, qeverisjes demokratike dhe administratës publike. Objektivi është mbyllja e kapitujve kryesorë deri në vitin 2027 dhe përgatitja për anëtarësim të plotë në vitin 2030.