
Një Teatër Politik i Shndërruar në Tragjikomedi Elektorale
Zegjine Çaushi, e njohur gjerësisht si “Zegjineja e Roskovecit”, përfundoi ciklin e saj grotesk në politikë njëlloj siç e nisi: me zhurmë, video dhe zero substancë. E mbështetur më shumë te klithmat në TikTok sesa te idetë në fushatë, ajo humbi mandatin për vetëm 10 vota, një fund që i përshtatet më së miri një protagonisteje që u shfaq në politikë si karikaturë e realitetit partiak shqiptar.
“Oooo Gazooo, hajde për drekë!” – ishte ftesa më e njohur e saj, e bërtitur me pasion për klikime, por pa asnjë impakt në jetën e qytetarëve të Fierit. Nuk kishte platformë, nuk kishte ide, kishte vetëm një egërsi të pashpjegueshme për të fituar famë, qoftë edhe si figurë qesharake e listës së PS-së.
Në vend të saj, mandatin e mori Maldrita Bardho, një emër i panjohur publikisht, por me një avantazh thelbësor: nuk ishte kthyer në memexhi partiake.
Grotesku Politik si Simptomë
Zegjineja nuk është një rast i izoluar, por një simptomë e një kulture politike që shpesh favorizon figurat më ekstreme, më teatrale dhe më të zhurmshme, në vend të përfaqësuesve me integritet, përgatitje dhe vizion. Fushata e saj ishte një miks mes reality show dhe luftës për vëmendje, ku politika ishte thjesht sfond.
Por realiteti është i pamëshirshëm – dhe në fund, mandati nuk fitohet me video. Fitohet me vota. Dhe ato i munguan.