
Pasditen e së mërkurës, drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Florian Sulejmani, ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare, ndërsa ende nuk janë dhënë arsyet zyrtare për largimin e tij nga detyra.
Sipas raportimeve të disa mediave, dorëheqja e Sulejmanit mund të jetë rezultat i mosmarrëveshjeve me ekzekutivin, veçanërisht për çështje që lidhen me emërime dhe shkarkime brenda AMP-së. Një burim i Syri.net pretendon se Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar Sulejmanit të shkarkojë shefin e AMP-së në Vlorë, por pas një mosbindjeje të këtij të fundit, Sulejmani ka vendosur të largohet vetë nga detyra.
Po sipas të njëjtit burim, në një komunikim telefonik, Kryeministri Rama e ka pyetur nëse ishte zbatuar vendimi për shkarkimin e drejtorit lokal, dhe pasi ka mësuar se kjo nuk kishte ndodhur, i ka sugjeruar dorëheqjen.
Aktualisht, nuk ka ende një njoftim zyrtar për emrin që do të zëvendësojë Sulejmanin. Megjithatë, burime jozyrtare përmendin si të mundshëm Jurgen Kolen, i cili aktualisht mban një funksion drejtues në SHISH.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është një institucion kyç për kontrollin dhe hetimin e shkeljeve në radhët e forcave të rendit. Emërimi i ri në krye të saj do të jetë vendimtar për vazhdimësinë e reformave dhe garantimin e integritetit të sistemit të sigurisë në vend.
Autoritetet nuk kanë bërë ende asnjë koment publik mbi pretendimet për përplasje politike ose ndikim nga jashtë. Procesi për emërimin e drejtuesit të ri pritet të zhvillohet në ditët në vijim.