Familjet e Reja E Kanë Të Pamundur Të Blejnë Banesë Në Kryeqytet, Ndërkohë Rama Promovon Çlirimin e 20 Mijë Metrave Katrorë

0

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e sotëm në rrjetet sociale një video nga aksioni për çlirimin e hapësirave publike në kryeqytet, duke deklaruar se deri nesër në Tiranë do të jenë çliruar rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqe publike, nga ndërtimet pa leje.

Sipas Ramës, puna nuk do të ndalet as në Tiranë, as në qytetet e tjera, as në bregdet, e aq më pak në zonat e mbrojtura. Ai lajmëroi gjithashtu një plan të ri për vendosjen e tavolinave të lokaleve, ku 75% e hapësirës do t’u takojë këmbësorëve dhe vetëm 25% njësive të shërbimit. Çdo strukturë mbi trotuar do të ndalohet, përveç rasteve të hapësirave të bollshme dhe aty ku ekziston një projekt i mirëfilltë urbanistik.

“Po punohet me projektet e Rilindjes Urbane 2.0 për të cilën janë angazhuar shumë arkitektë të huaj e vendas,” shkruan Rama, duke e përshkruar aksionin si pjesë e një transformimi më të madh të qytetit.

Por ndërsa pamjet e ekskavatorëve që rrëzojnë struktura të ngritura pa leje qarkullojnë në rrjet, pyetjet nuk mungojnë:
Kush i lejoi këto ndërtime në fillim? Kush i toleroi për vite të tëra? Dhe pse tani, papritur, janë kthyer në objekt të një spektakli politik?

Banorët dhe bizneset që preken nga këto shembje thonë se ndërtimet ishin lejuar në mënyrë të heshtur nga institucionet, në disa raste me dijeni të plotë të bashkisë. Disa prej tyre kanë paguar taksa, kanë funksionuar prej vitesh, dhe janë ftuar vetë nga administrata lokale për të investuar në zonat urbane. Sot, këta të njëjtë po përballen me shembje pa paralajmërim të qartë dhe pa kompensim.

Rama e quan këtë një luftë për hapësirën publike, por për shumë qytetarë kjo duket si një spektakël politik për të devijuar vëmendjen nga temat e vërteta: rritja e çmimeve ku familjet e reja e kanë të pamundur blerjen e një banese, e jo më të gëzojnë hapësirar publike, inflacioni, ndërtimet e pakontrolluara, dhe dështimet në planifikimin urban.

Në vend që të përballet me rrënjët e problemit – korrupsionin institucional dhe mungesën e kontrollit gjatë viteve të fundit – qeveria po zgjedh rrugën më të shpejtë: aksionin televiziv dhe propagandën dixhitale.

Ndërkohë, qyteti mbetet peng i një plani urbanistik që ndryshon nga java në javë, ku mbizotëron një logjikë shkatërrimi pa drejtim të qartë. Pronarët e lokaleve të rrënuara, qytetarët dhe arkitektët e pavarur kërkojnë transparencë, plan afatgjatë dhe drejtësi urbanistike – jo thjesht video në Facebook.

A është ky një hap drejt një qyteti më të organizuar? Apo thjesht një tjetër përpjekje për të mbuluar dështimet me spektakël?
Koha do ta tregojë. Por për momentin, lokalet bien, pluhuri ngrihet, e Rama bën statuse në rrjete sociale!

Artikulli i mëparshëmBuzz Aldrin “Pranon” Se Njeriu Nuk Shkoi Në Hënë? Videoja Që Rikthen Teoritë Konspirative
Artikulli i radhësPrinc Leka Drejt Martesës së Dytë me Blerta Celibashin: Një Dashuri e Re, Një Ceremoni Private