Kompanitë që do të lejohen të kultivojnë kanabis për prodhimin e preparateve mjekësore, duhet të kenë eksperiencë të mëparshme në këtë fushë.
E duke qenë se në Shqipëri nuk ka të tilla, në projektligjin që është gati përfundimit nga ana e qeverisë, parashikohet që do të jenë kompani ndërkombëtare ato që do të operojnë në këtë treg.
Në një intervistë, Taulant Balla zbulon disa nga kriteret bazë që do të përmbajnë kontratat me kompanitë që do të lejohen të kultivojnë dhe përpunojnë kanabisin në Shqipëri.
Në kushtet kur turizmi do të ndjejë goditjen më të rëndë nga masat anti-covid, duket se legalizimi i kultivimit të hashashit është menduar që do të ndikojë në mbushjen e arkës së shtetit.
“Do të shfrytëzojmë çdo mundësi. Kjo është një mundësi shumë e mirë për ekonominë”.
Përfitimi i dytë do të jetë rritja e punësimit.
Zonat ku do të lejohet kultivimi do të përcaktohen pikërisht mbi këtë kriter, të gjenerojë punësim që aktualisht mungon.
Për Ballën është koha e mjaftueshme që drafti deri në fund të Korrikut, pasi të konsultohet me të gjithë grupet e interesit, të kalojë për miratim në Kuvend.