
Kryeministri Edi Rama ka vazhduar edhe një ditë tjetër me sulmet e drejtpërdrejta ndaj gjyqtarëve, duke shënjestruar këtë herë gjyqtarin e Administratives Hazbi Balliu. Shkak u bë një vendim gjyqësor mbi një pallat të sekuestruar pa leje, që në vend të kthehej në pronësi të shtetit, u përball me vendimin e gjykatës për sigurim padie në favor të pronarit.
Rama, me gjuhën e tij karakteristike agresive, akuzoi gjyqtarin se nuk kishte marrë as dhjetë minuta për të lexuar materialet e qeverisë dhe se kishte zgjedhur të “dalë kundër shtetit”. Por ndërsa kreu i ekzekutivit i bën publikisht presion drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) hesht.
KLGJ, Institucioni që Nuk Merr Frymë
Sulmet e Ramës nuk janë të parat. Vetëm pak javë më parë, prokurorja Elsa Gjeli u anatamua publikisht për çështjen e ndërtimit në Theth. As atëherë, as tani, KLGJ nuk ka nxjerrë asnjë reagim në mbrojtje të magjistratëve. Në çdo shtet normal, një organ i tillë duhet të ishte muri mbrojtës i pavarësisë së gjyqësorit, por në Shqipëri është shndërruar në një kukull të heshtur.
Drejtuesi i KLGJ-së, Ilir Rusi, shihet gjithnjë e më shumë si një drejtuesi i paaftë në krye të një institucioni “memec” që ka mision të madh, por që ka mbetur një ornament pa zë. Në vend që të garantojë integritetin e sistemit gjyqësor, Rusi ka zgjedhur të rrijë i heshtur përballë presionit politik, duke i hapur rrugë kapjes së drejtësisë.
Një Drejtësi e Kërcënuar
Fakti që gjyqtarët sulmohen publikisht nga kryeministri dhe se as KLGJ dhe as KLP nuk reagojnë, është dëshmi se Shqipëria po rrëshqet drejt një sistemi ku drejtësia nuk ka as guxim, as pavarësi. Në këtë terren, mesazhi është i qartë: kush guxon të marrë vendim kundër interesave të qeverisë, do të anatemohet, ndërsa institucionet e vetëqeverisjes gjyqësore do të rrinë të heshtura.
Ky realitet i jep të drejtë atyre që paralajmërojnë se vendi po shkon drejt një modeli autokratik, ku gjyqësori është thjesht fasadë. Dhe në krye të këtij degradimi qëndron KLGJ-ja e Ilir Rusit – një kryetar i cili, me heshtjen e tij, po e kthen institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë në një memecëri institucionale.